Nënkryetari i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, realizoi sot një takim pune me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Rafael Soriano Ortiz.
Në fokus të takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ishin mundësitë për forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në investimet kapitale. U shkëmbyen gjithashtu mendime dhe qëndrime lidhur me çështjet aktuale politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, me synimin për realizimin e investimeve të përbashkëta dhe ruajtjen e prioritetit qeveritar – zhvillimi i fuqishëm ekonomik dhe transformimi i plotë i shtetit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq, ndër të tjera, e informoi ambasadorin Ortiz mbi funksionimin e Ministrisë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, planet për këtë vit kalendarik dhe theksoi se po punohet intensivisht në ndryshimin e qasjes ndaj bashkësive etnike më të vogla. Ai gjithashtu shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme nga Spanja, si rezultat i marrëdhënieve diplomatike mbi 30-vjeçare dhe miqësisë tradicionale, veçanërisht në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.
Ambasadori spanjoll Rafael Soriano Ortiz, nga ana e tij, përcolli mesazhe mbështetëse dhe vlerësuese për progresin e arritur, duke siguruar se përparimi në procesin e zgjerimit të BE-së, i bazuar në sistemin e meritës dhe politika parimore, mbetet ende një pikë e lartë në agjendë.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, i bazuar mbi një miqësi shumëvjeçare, është thelbësor dhe se ai duhet dhe mund të thellohet edhe më tej.