Mickoski: Nëse punëdhënësit dhe punëtorët bien dakord për pagën minimale, Qeveria do ta pranojë marrëveshjen

"Qëndrimi ynë për pagën minimale është shumë i qartë dhe nuk bazohet në asnjë improvizim. Ne si Qeveri, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, duhej të përcaktonim vlerën minimale të pagës minimale, sipas ligjit. Dhe në bazë të atij ligji, njerëzit nga ministritë e llogaritën atë dhe u miratua ashtu siç është. Pra, gjendja aktuale e pagës minimale është në përputhje me ligjin, të cilin e ka dakorduar po kjo sindikatë kur ka qenë reprezentative", tha kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, gjatë seancës së sotme parlamentare, duke u përgjigjur në pyetjejen e deputetëve.

Mickoski theksoi se ata si Qeveri janë të detyruar ta respektojnë ligjin.

"Ne si Qeveri jemi të detyruar ta respektojmë ligjin dhe gjithmonë e kemi respektuar. Tani, nëse dikujt i pëlqen në vlerë apo jo kjo është çështje tjetër. Personalisht, mendoj se paga minimale duhet të jetë edhe 1000 euro, madje edhe ajo mund të jetë pak. Personalisht mendoj se me këtë mënyrë të ardhurat në Buxhet do të ishin më të mëdha, por nëse biznesi mund ta përballojë këtë, është pyetje që duhet t’i përgjigjen punëdhënësit", deklaroi ai dhe shtoi:

"Deri tani, vlera e pagës minimale është përcaktuar jashtë ligjit, në kuadër të Këshillit Ekonomiko-Social dhe dialogut që zhvillohet atje midis Qeverisë, punëtorëve dhe punëdhënësve. Tani nuk kishte përfaqësues nga ana e punëtorëve, sepse sindikata nuk është më reprezentative. Ndërkohë, ministritë e Drejtësisë, Ekonomisë dhe Punës e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve kanë emëruar përfaqësuesit e tyre në komisionin që duhet të përcaktojë përfaqësueshmërinë e sindikatave – ky komision tashmë është i kompletuar.

Gjatë takimit që patëm me sindikatat, të gjithë ranë dakord për një propozim – që niveli prej 10% i cili përcaktohet për llogaritjen përfaqësueshmërisë nga anëtarët e organizatës sindikale, të ulet në 5%.

Ne nuk jemi kundër, jemi pro dhe tashmë kam dhënë udhëzim që të përgatiten ndryshimet ligjore që do ta ulin në 5% dhe në këtë mënyrë do përfshihen një numër më i madh i sindikatave dhe të bëhen pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social".

Mickoski theksoi se, sapo të formohet ky këshill, është i gatshëm menjëherë të thërrasë një mbledhje dhe nëse punëdhënësit dhe punëtorët bien dakord për pagën minimale, është i gatshëm të intervenohet në ligj.

"Pasi të formohet ky Këshill Ekonomiko-Social, ne jemi të gatshëm menjëherë të organizojmë një mbledhje dhe në atë mbledhje të diskutohet për përcaktimin e pagës minimale jashtë asaj që është tashmë ligjërisht e vendosur dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë menjëherë në ligj nëse punëtorët dhe punëdhënësit bien dakord – qoftë ajo 25.000, 27.000 apo 30.000 denarë, ashtu si do merren vesh, ne ashtu do ta pranojmë", përfundoi Mickoski.