Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, sot mbajti fjalim në takimin e Grupit Sektorial Punues për Reformën e Administratës Publike, ku morën pjesë përfaqësues të Delegacionit Evropian në Republikën e Maqedonisë, SIGMA, ReSPA, ambasadave, si dhe përfaqësues nga sektori publik, privat dhe ai qytetar.
Në fjalimin e tij, ministri theksoi se reforma e administratës publike është një nga prioritetet kyçe për përparimin e vendit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se kjo reformë për herë të parë është përfshirë në mënyrë formale si një fushë e veçantë në Klasterin "Bazat", sipas metodologjisë së re për negociatat e anëtarësimit, e cila në mënyrë shtesë e thekson rëndësinë e saj.
“Raportet e Komisionit Evropian tregojnë përparim të moderuar, por janë gjithashtu sinjal se duhet të vazhdojmë me zbatim edhe më intensiv të reformave,” tha ministri.
Veçanërisht u theksua Raporti i Monitorimit të SIGMA-s për vitin 2024, i cili jep një pasqyrë të qartë mbi të arriturat dhe fushat që kërkojnë përmirësime të mëtejshme.
Minçev theksoi se tani fokusi është vendosur në zbatimin efektiv të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2023–2030, me qëllim ndërtimin e një administrate të depolitizuar, profesionale dhe të përgjegjshme, e cila ofron shërbime cilësore, të shpejta dhe të qasshme për të gjithë qytetarët dhe për komunitetin e biznesit.
Si rezultate kyçe, ministri i theksoi përgatitjet e tre ligjeve të reja – për nëpunësit administrativë, për të punësuarit në sektorin publik dhe për zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë – të cilat do t’i dorëzohen Kuvendit deri në fund të muajit maj. Gjithashtu, po punohet në zgjidhje të reja ligjore për vitin 2025, duke përfshirë Ligjin për Shërbimin e Lartë Drejtues, një sistem të ri pagash dhe Ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore.
Ai gjithashtu paralajmëroi bashkëpunim të forcuar ndërkombëtar përmes një memorandumi të nënshkruar me Ministrinë për Administratë Publike të Republikës së Sllovenisë, i cili do të mundësojë shkëmbim përvojash dhe praktikash të mira.
“Reformat nuk janë qëllim në vetvete, por një mjet për të krijuar një shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më efikase. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një administratë publike të cilën qytetarët vërtet e meritojnë,” theksoi ministri, duke shprehur mirënjohje për të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e përbashkët.