Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Biznesit të mbajtur në Sarajevë, Ministri i Ekonomisë, z. Besar Durmishi, zhvilloi një takim bilateral me Shkëlqesinë e Tij, z. Abdulaziz Alsakran, Zëvendësguvernator për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Autoritetin e Përgjithshëm për Tregtinë e Jashtme të Arabisë Saudite (GAFT).
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite. U konfirmua interesi reciprok për rritjen e shkëmbimit tregtar, i cili aktualisht qëndron në vlerën prej 44 milionë dollarësh, me synimin për ta tejkaluar këtë nivel përmes iniciativave të reja dhe investimeve strategjike.
Gjatë takimit, palët diskutuan për:
Organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit dhe vizita të ndërsjella të delegacioneve ekonomike;
Mundësitë për investime saudite në sektorë me prioritet të lartë për zhvillimin kombëtar, përfshirë agrokulturën, turizmin dhe projektet e qëndrueshme infrastrukturore;
Zhvillimin e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” në Tetovë, si një projekt emblemë për nxitjen e turizmit malor dhe zhvillimin e rajonit;
Mbështetjen për certifikimin Hallall të produkteve vendore, si një hap konkret për rritjen e eksporteve dhe diversifikimin e tregjeve të synuara.
Ministri Durmishi theksoi se ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka potencial të konsiderueshëm dhe me partnerë strategjikë si Arabia Saudite, ky potencial mund të shndërrohet në projekte konkrete që sjellin zhvillim, punësim dhe prosperitet për vendin.