Misajllovski – Helez: siguria dhe stabiliteti i rajonit është prioritet absolut

Jemi të përkushtuar fuqishëm për zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes, që është tregues i besimit të ndërtuar mes dy vendeve tona mike, konkluduan ministri i mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe kolegu i tij, ministri i mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez, në takimin e sotëm në Ministri. Takimi u realizua në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit boshnjak të kryesuar nga ministri Helez në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministri Misajllovski theksoi se gjëja më e rëndësishme për të dyja vendet është siguria dhe stabiliteti i rajonit, duke theksuar se “ky është prioritet absolut, duke pasur parasysh se pa këtë nuk mund të flasim për zhvillimin e asnjë fushe tjetër, përfshirë edhe ekonominë.”

Misajllovski shtoi se vendi është plotësisht i gatshëm ta mbështesë Bosnjën dhe Hercegovinën në procesin e integrimit në NATO, duke nënvizuar se “të dyja vendet tona janë mike dhe duhet të mbështeten e të ndihmojnë njëra-tjetrën në arritjen e qëllimit – një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë.”

Sa i përket kontributit në misionin e BE-së ALTEA në Bosnjë dhe Hercegovinë, Misajllovski konfirmoi përkushtimin tonë, duke informuar se aktualisht pjesë e këtij operacioni janë 33 pjesëtarë maqedonas.

Në prag të vizitës në Akademinë Ushtarake, ku sot të dy ministrat do të marrin pjesë në orën e parë akademike, Misajllovski tha se përfshirja e më shumë kadetëve nga Bosnja dhe Hercegovina në klasën e re të Akademisë është “një tregues i qartë i qëllimeve tona të sinqerta në ndërtimin e partneriteteve dhe faktit se besimi i ndërsjellë është në nivelin më të lartë – nga oferta jonë për shkollim, deri te interesi juaj për t’na besuar përgjegjësinë për të krijuar liderët e ardhshëm të forcave të armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.”

Ministri Helez falënderoi për shkollimin e kadetëve nga Bosnja dhe Hercegovina në Akademinë Ushtarake dhe për kontributin e kontingjentit maqedonas në misionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ministri gjithashtu u ndal edhe te integrimi në Bashkimin Evropian, për të cilin tha se është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja vendet tona.

Në takim, ministrat biseduan edhe për bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, si dhe për përdorimin e poligonit “Krivollak” që është një kapacitet i rëndësishëm i Armatës maqedonase.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, përveç takimit të dy ministrave, u zhvillua edhe një takim i të dy delegacioneve, ku mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Llafçiski.