Në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, sot në Shkup arriti kryeministri i Republikës së Serbisë, z. Gjuro Macut. Delegacioni i lartë nga Republika e Serbisë u prit në mënyrë solemne në Aeroportin Ndërkombëtar – Shkup nga delegacioni qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Gjatë vizitës, kryeministri Macut realizoi takim pune me kryetarin e Qeverisë së RMV-së, z. Hristijan Mickoski. Në takim morën pjesë edhe ministrat e të dy qeverive: z. Dragan Glamoçiq, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Republikës së Serbisë, znj. Jagoda Lazareviq, ministre e Tregtisë së Jashtme dhe të Brendshme të Republikës së Serbisë, z. Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të RMV-së, z. Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të RMV-së, si dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe miqësore, ku u shkëmbyen mendime mbi çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit bilateral në disa sektorë, përfshirë ekonominë, energjetikën, infrastrukturën, kulturën dhe arsimin.
Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, forcimi i dialogut politik, si dhe koordinimi në kuadër të iniciativave rajonale dhe proceseve të integrimit evropian, ku të dy vendet shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejshme.
Pjesa punuese e vizitës vazhdoi me drekë solemne të organizuar në Klubin E Deputetëve, ku bisedimet ndërmjet të dy delegacioneve vazhduan në një atmosferë joformale, por të ngrohtë dhe produktive. Mikpritës i drekës ishte zëvendëskryeministri dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Vizita zyrtare e kryeministrit të Republikës së Serbisë, z. Gjuro Macut, paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, të bazuara në respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe angazhim të përbashkët për stabilitet, zhvillim dhe prosperitet të të gjithë rajonit.