Ministria e Administratës Publike sot zyrtarisht ka filluar ciklin e parë të trajnimeve për përdorimin e versionit të modernizuar të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ), një mjet kyç në transformimin digjital të sektorit publik.
Trajnimet po zhvillohen paralelisht në dy lokacione, ndërsa qëllimi i trajnimeve është t'u ofrojë institucioneve një prezantim të detajuar të funksionaliteteve të reja të sistemit, zbatimin e tij praktik, si dhe të sigurojë përdorim të unifikuar dhe efikas në të gjithë sektorin publik.
Sistemi SIMBNJ, i cili deri tani ka qenë jofunksional dhe i përdorur në mënyrë të kufizuar, tani është plotësisht i rinovuar, funksional, i përmirësuar teknologjikisht dhe për herë të parë është në pronësi të plotë të shtetit.
Versioni i ri mundëson llogaritje të centralizuar të pagave, menaxhim digjital të burimeve njerëzore, mobilitet dhe zhvillim karriere në kohë reale, ndërveprim me sisteme të tjera shtetërore, si dhe qasje të drejtpërdrejtë të çdo të punësuari në dosjen e tij elektronike.
Me këto trajnime do të përfshihen të gjitha institucionet publike, me qëllim që deri në fund të vitit 2026 të integrohen plotësisht në SIMBNJ. Trajnimet janë të detyrueshme për të gjithë të punësuarit përgjegjës për burimet njerëzore dhe do të mbështeten me asistencë teknike të vazhdueshme.
Sistemi do të përditësohet rregullisht, çdo gjashtë muaj, sipas nevojave reale dhe përparimit teknologjik, duke krijuar një standard të ri në administratën publike të Republikës së Maqedonisë.
Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar në krijimin e institucioneve efikase, transparente dhe me standarde evropiane, që punojnë për qytetarët.