Ministria për Administratë Publike sot e nisi ciklin e dytë të trajnimeve gjenerike për nëpunësit administrativë në rajonin e Pollogut, me çka vazhdon realizimi i agjendës reformuese për një administratë publike profesionale, efikase dhe moderne.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga institucionet, nëpunës administrativë, si dhe ekspertë dhe trajnerë të përfshirë në trajnime.
Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, në fjalimin e tij theksoi se këto trajnime janë pjesë e procesit të vazhdueshëm për ndërtimin e një kulture të re pune dhe një fryme të re në sektorin publik:
“Reformat në administratën publike nuk janë vetëm premtime apo fjalë boshe në një tjetër program qeveritar, por vepra të vërteta që shihen, ndjehen dhe e ndryshojnë përditshmërinë e qytetarëve. Nuk ka shtet modern pa administratë moderne. Nuk ka besim pa nëpunës profesionistë, të përgjegjshëm dhe të motivuar”.
Ministri theksoi se me këto trajnime, shteti vendos një standard të ri në mënyrën se si kujdeset për nëpunësit e vet, me më shumë se 600 persona të trajnuar nga cikli i kaluar, ndërsa cikli i ri vazhdon me intensitet dhe mbulim edhe më të madh në të gjitha rajonet.
“Këto trajnime janë praktike, moderne, të frymëzuara nga shembujt më të mirë evropianë dhe kanë për qëllim jo vetëm të përcjellin dije, por edhe të ndryshojnë kulturën e punës – të krijojnë nëpunës që nuk punojnë sepse janë të detyruar, por sepse duan të bëjnë ndryshim”, – tha Minçev.
Ai rikujtoi se gjatë vitit të kaluar, Ministria ka ndërmarrë hapa seriozë në reformat e administratës publike – me zgjidhje të reja ligjore që e forcojnë llogaridhënien dhe transparencën, modernizimin e sistemit për burime njerëzore SIMBNJ, zhvillimin e sistemit LMS për trajnime online dhe vendosjen e praktikave të reja për profesionalizim dhe efikasitet.
Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e administratës publike si themel i shtetësisë dhe një nxitës i integrimit evropian:
“Evropianizimi nuk fillon në Bruksel – ai fillon këtu, në çdo komunë, në çdo sportel, te çdo nëpunës që e kryen punën e vet me nder, me respekt dhe me integritet.”
Duke e përmbyllur fjalimin e tij, ministri Minçev përcolli një mesazh të fuqishëm:
“Administrata publike nuk është shpenzim – ajo është investim. Investim në stabilitet, besim dhe shtetësi. Sot po ndërtojmë një sistem që do të jetë transparent, njerëzor dhe me frymë evropiane. Tani është momenti të tregojmë se shteti mund të funksionojë ndryshe – me rregull, me parime dhe me rezultate”.
Me ciklin e dytë të trajnimeve gjenerike, Ministria e Administratës Publike vazhdon të ndërtojë vizionin për një administratë profesionale, etike dhe evropiane – një administratë që do të jetë krenaria e shtetit dhe një shërbim i vërtetë për qytetarët.