Të nderuara ekselenca,
I nderuar Prilep, qytet hero me histori të madhe dhe luftë pas vetes,
Të dashur miq, zonja dhe zotërinj,
“Të robëruar, por kurrë të nënshtruar” janë fjalët me të cilat fillon manifesti i partizanëve maqedonas, të cilin e dërgojnë tek populli që në atë kohë u përball me agresionin më të madh ushtarak të deriatëhershëm. Në këto fjalë përmbahet thelbi i vrullit dhe rrezistencës që ajo gjeneratë tregoi kundrejt forcës më të madhe që bota e njihte atëherë. Në atë fjali vërehet vendosmëria për të arritur sukses, edhe kur shumë më të mëdhenj janë kundër jush dhe se çdo betejë mund të fitohet ose të humbet duke u përpjekur për të fituar, por kurrë të mos dorëzoheni edhe atëherë kur mendoni se gjithçka është e pashpresë.
Për gjithçka duhet të kesh qëllim dhe motiv për luftë. Liria ishte qëllimi i përbashkët i njerëzve nga kombe të ndryshme që atëherë u bashkuan. Ajo gjeneratë nuk kishte garanci se do të fitonte, përkundrazi, ajo përballej me goditje dhe pengesa për çdo pëllëmbë për të cilën luftonin, por mbetën të papërkulur dhe në fund fituan. Ata atëherë e bashkuan popullin në një qëllim të përbashkët. Dhe kishin një ide dhe ideal, të shprehura përmes shumë luftërave të mëparshme. Asnjë sukses i madh nuk vjen papritur, as i pamerituar, por me shumë durim, punë dhe këmbëngulje.
Në fakt, në atë thirrje fitimtare URA, atë 11 tetor, qëndron edhe britma e luftëtarëve, e komiteteve nga epopeja e Ilindenit. Ai varg i gjatë luftërash, në të cilin meritë ka edhe organizata që ishte fortesë e bashkimit të atij kontinuiteti të jashtëzakonshëm të rezistencës kundër perandorisë dhe shkronjat me të cilat historikisht është lidhur lufta jonë për liri dhe shtet të vetin – VMRO.
Këto ishin gjenerata që u shënuan në historinë tonë, të cilët ecën mbi shtegun i cili mbeti më pas për shumë të tjerë ta ndjekin dhe t'ia lënë fëmijëve të tyre, duke bartur zjarrin e idealeve në të cilat besonim.
Dua të besoj se të gjithë ne bashkë duam të vazhdojmë shtegun që na lanë të parët tanë, por ajo që shohim këto 30 vjet na mëson se ka edhe të tillë që duan të ndjekin rrugët e tyre personale dhe shpesh devijojnë nga ajo rrugë që ka për qëllim atdheun tonë. Ky shtet dhe qytetarët tanë kanë kaluar momente dramatike dhe të vështira. Embargo, tranzicion kriminal, privatizim i pandershëm, konflikt i armatosur, veto, ndryshim i flamurit, i emrit, i kushtetutës, presione për realizimin e qëllimeve strategjike, marrëveshje turpe dhe shumë gjëra të tjera – dhe secila prej tyre linte gjurmë në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive. Pikërisht ato plagë i shoh në shikimin dhe në fytyrat e secilit prej jush. Dhe ato plagë të thella i mbajmë në kujtimet e përbashkëta dhe në zemrat e çdo njeriu. Secili veç e veç, por të gjithë bashkë, kemi kaluar përmes atyre rrjeteve të vështira. Edhe unë, ashtu si dhe ju, e ndjeva tranzicionin dhe periudhën e pasigurisë kur prindi sheh se diçka që ka ndërtuar për vite të tëra, brenda natës shkatërrohet dhe ai mbetet pa punë. Edhe unë, ashtu si dhe ju, ndjeva një nyjë në fyt nga marrëveshjet jo-principiele dhe të padrejta për emrin, për flamurin, bisedat sy në sy për fatet tona. Dua të them se askush prej nesh nuk është i përjashtuar nga vetëdija për atë që i ndodhi shtetit, dhe të gjitha këto gjëra e shkatërronin vetëbesimin dhe e vrisnin shpresën. Shumica – kjo është arsyeja pse u larguan dhe u shpërngulën për mos tu kthyer. E justifikuar, por megjithatë tronditëse për tërë shtetin, është konstatimi i shumicës se sistemi i mëparshëm i shtetit ishte shumë më i organizuar se ai i tanishmi. Nuk është aq nostalgji për atë sistem diçka që ishte para më shumë se tri dekadave, sa është para së gjithash revoltë ndaj mosfunksionimit të sistemit që po ndërtohet këto më shumë se tri dekada. Ndërsa sistemi është i tillë siç është i kalbur dhe i jofunksional, i ngarkuar me shumë lëshime, kompromise të paarsyeshme, dhunime, zhgënjime. Prandaj qytetarët janë bezdisur nga politika, nga debatet për çështjet thelbësore. Sepse shumë njerëz e harruan moralin dhe vlerat që duhet të jenë shtylla rezistente ndaj çdo tronditjeje. Dhe fajtorët për të gjitha këto kanë emër dhe mbiemër. I njohim të gjitha ripërsëritjet e tyre, farsat e tyre, motivet dhe qëllimet e tyre që nuk janë të njejta me tonat. Nuk e dimë sa gjatë do të vazhdojnë kështu, por e dimë se nuk do t’u lejojmë t'ia dalin edhe atëherë kur do tu bëjnë dhurata shteteve të tjera edhe kur marrin dhurata nga shtetet e tjera. Ajo që me të vërtetë e di dhe për të cilën mbaj përgjegjësi është njohuria se kjo gjeneratë, kjo gjenerata jonë, është shansi i fundit pas të cilit, kam frikë se nuk do të ketë hapësirë për përmirësim. E di se kjo është shpresa e fundit për shumë që me vëmendje ndjekin çfarë bëjmë dhe si luftojmë. U them të gjithë atyre se do të ia dalim, do të fitojmë. Ju siguroj se do të fitojmë. Së bashku dhe në unitet, me të gjithë fuqinë dhe kapacitetet tona, do ta ngremë Maqedoninë në këmbë. Dhe do t’i rregullojmë të gjitha themelet që i rrëzuan me dekada në të kaluarën.
Të dashur miq,
Që ta bëjmë këtë restart të sistemit, është i nevojshëm mobilizim shoqëror. Dhe jo vetëm mobilizim i elitave politike, por mendoj për një mobilizim të thellë të të gjitha strukturave të shoqërisë. Mjedisi akademik është ndarë në “pro tanët” dhe “pro atyre”, ndërsa ASHAM për çdo çështje shtyhet gjithnjë mënjanë dhe zhvillohen polemika të çuditshme për përqindje përfaqësimi, për atë se kush ka qenë ose nuk ka qenë akademik, në vend që të flitet për përqindjen e shfrytëzimit të dijeve dhe përvojës së tyre. Ka shumë çështje për të cilat nuk janë pyetur, por edhe ata disi reagojnë me auto-censurë dhe me vonesë. Kam ndjesinë se komunikimi me të rinjtë është ndërprerë – ata kanë krijuar botën e tyre të vogël, ndryshe nga e jona. Ecim bashkë nëpër proceset, por në fund flasim ndryshe. Prandaj është i nevojshëm dialogu.
Dhe kur them dialog, më së paku mendoj për atë që ndoshta ju vjen menjëherë në mendje – një ftesë për takim liderësh me opozitën që përfundon me sallë mbledhjesh, fotografi të përbashkëta, miliona pyetje e pak përgjigje dhe deklarata ku garojmë kush do të tingëllojë më i mençur. Por këtë herë flas për një dialog thelbësor me të gjithë faktorët shoqërorë të rëndësishëm për shtetin – me shoqërinë akademike, profesorët, akademikët, shkenca, të rinjtë, njerëzit me përvojë dhe ata me energji për të ecur përpara. Jam gati ta udhëheq këtë proces dhe të bashkohemi rreth një platforme shoqërore, jo vetëm politike apo ekonomike, për qëllimet që duam t’i arrijmë si shtet dhe për rrugën drejt tyre. Dialog i bazuar në parime rreth të cilave duhet të bashkohen maqedonasit dhe shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë të tjerët – të krishterë e myslimanë, të vjetër e të rinj, sepse, pavarësisht të gjitha dallimeve tona, Maqedonia është vetëm një dhe ajo mbetet atdheu ynë, ndërsa ne të gjithë nuk kemi më kohë për të humbur.
Të dashur miq,
Duhet të punojmë për realizimin e qëllimeve tona strategjike. Nëse i relativizojmë apo heqim dorë prej tyre, mbetemi pa qëllim dhe pa ëndrrën e brezave të maqedonasve që e patën që kur u shpall pavarësia. Ndërsa ajo ëndërr, atëherë dhe sot, ishte të bëhemi pjesë e integruar e Bashkimit Evropian. E di se rruga deri atje është plot me goditje të pandershme, me heqje dorë dhe me lojëra, por ne kemi mundësi – ose të dorëzohemi e të qajmë mbi fatin tonë, ose të luftojmë dhe në fund të fitojmë. Në këtë kuptim, edhe lufta e ilindenasve dhe e partizanëve ishte krejt e ngjashme. Ata kanë patur mundësi të dorëzohen dhe të kishin një jetë më të mirë, ndoshta më të rehatshme përkohësisht, por e dinin për çfarë bëhej fjalë dhe se çdo brez e merr mbi vete barrën e brezit tjetër, prandaj duhej të luftojnë.
Edhe sot, kur gjërat janë të padrejta dhe të vështira, kur disa nga opozita kërkojnë të heqim dorë nga negociatat. Mirë, ta pranojmë dhe këtë, por të njëjtët duhet të thonë cila është alternativa për shtetin dhe gjithë brezat e ardhshëm, dhe a kemi të drejtë ta ndërpresim ëndrrën në të cilën besojmë. Ka edhe nga ata që thonë se rruga drejt BE-së nuk është e drejtë. Kur u formua qëllimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, askush nuk na premtoi lojë të ndershme, përkundrazi, fati i kombeve dhe shteteve të vogla ka qenë gjithmonë i varur nga lojërat e popujve më të mëdhenj. Aftësia jonë duhet të jetë të realizojmë qëllimet tona në një kontekst të tillë të vështirë. Dhe gjithmonë duhet të kemi plan A dhe plan B, por qëllimi duhet të mbetet i njëjtë.
Pengesa jonë më e madhe në rrugën drejt BE-së është çështja me fqinjin tonë lindor dhe i ashtuquajturi propozim francez që e pranoi vetë qeveria e mëparshme. Tani kjo është pengesa që duhet tejkaluar. Por nuk duhet të harrojmë hipokrizinë e madhe që shihet tek ata që na bindnin se s’ka propozim më të mirë dhe se identiteti është i mbrojtur, e tani, me manovra politike, të vizatojnë “vija të kuqe” që kinse do të na mbrojnë nga i njëjti propozim që vetë e pranuan, pa pyetur opozitën e atëhershme dhe qytetarët. E të mos ndërhyj në momentin e motiveve të fshehura që çështjet e këtilla të hapen tani dhe historia e lëshimeve ndaj fqinjit tonë lindor, për të cilin jam i bindur se koha do ta dëshmojë këtë, sipas praksës së deritanishme të aktorëve.
Frika dhe shqetësimi kryesor tek qytetarët është rreth pyetjes kryesore - nëse kjo do të jetë lëshimi i fundit dhe nëse me pranimin e këtij propozimi do të përfundojë seria e lëshimeve që prej vitesh bëhen në dëm të interesave kombëtare dhe shtetërore. Ky popull, veçanërisht populli maqedonas, ka të drejtë të jetë i shqetësuar, sepse që prej 25 vitesh, që kur filluam rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, lëshimet gjithmonë janë bërë në kurriz të popullit maqedonas dhe të Maqedonisë si shtet, ndërsa nga ana tjetër, askush nuk ka të drejtë të presë se kjo Qeveri që unë udhëheq të pranojë propozimin francez me duar hapur dhe pa asnjë kundërshpërblim nga fqinji lindor ose nga BE-ja. Kjo nuk do të ndodhë.
Prandaj, sot duhet ta përdorim këtë ditë për të dërguar një mesazh të qartë politik,
Po për anëtarësimin në BE, të vetëdijshëm se kjo rrugë për ne nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e drejtë, por jo për kushte bilaterale dhe po për garanci nga ana e Këshillit Evropian i cili duhet nëse dëshiron ta sheh këtë shtet vërtetë të vogël, i cili në histori ka treguar shumë herë se vendi i tij është mes kombeve evropiane të dërgojnë një konkluzion që në Këshillin e rradhës Evropian në të cilin qartë do të tregojnë se askush prej tyre nuk ka problem me identitetin e veçantë maqedonas,
se askush prej atyre 27 vendeve anëtare nuk ka problem me gjuhën maqedonase, e kodifikuar 80 vjet më parë dhe se askush nuk ka problem me kulturën, traditat dhe zakonet maqedonase, mbi të cilat është ndërtuar identiteti ynë dhe të thonë mjaft më, nuk ka më veto dhe pengesa për shkak të çështjeve bilaterale, ndërsa fqinji ynë lindor duhet të tregojë pjekuri evropiane, të mbështetur jo në kohën e Zhivkovizmit, por në kohën e Adenauerit, De Gasperit dhe Shumanit, duke respektuar vlerat e vërteta evropiane. Të respektojë atë që ka nënshkruar të drejtën ndërkombëtare, e cila thotë se vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg duhet të zbatohen. Së fundmi, maqedonasit në Bullgarinë perëndimore, në rajonin e Pirinit, duhet të marrin atë që meritojnë – të kenë mundësinë të organizohen si bashkësi dhe më pas të kenë përfaqësuesin e tyre në Këshillin Ministror për të Drejtat e Pakicave pranë qeverisë bullgare. Këto janë vijat e kuqe.
E di se kur i kam thënë këto gjëra, kam penguar shumëkënd dhe e di se i pengoj kundërshtarët tanë dhe prandaj jam çdo ditë objekt i fushatave plot me gënjeshtra dhe shpifje, sepse ata jetojnë në kurriz të popullit dhe shtetit, ndërsa ne për atdheun dhe popullin.
Dhe dua t’ju them – më e rëndësishmja nga të gjitha është të jem i ndershëm dhe i sinqertë ndaj popullit dhe të mbetem me fytyrë të pastër. Nuk ka çmim që mund ta ndryshojë këtë, as forcë që mund të më detyrojë të marr një vendim të gabuar kur bëhet fjalë për popullin maqedonas, qytetarët e Maqedonisë dhe atdheun tim.
Dhe gjithmonë do të ketë një plan B, që do të thotë mbrojtje e gjithçkaje në të cilën besojmë – dhe e di se kurrë nuk do t’ju zhgënjej.
Në këtë betejë jemi bashkë, dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë, deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët.
Të dashur miq,
E di që jemi në periudhë zgjedhore dhe në kohë kur ndjeshmëria është e madhe nga të gjitha anët. Por dua të theksoj dy gjëra.
E para – kemi një problem serioz me funksionimin e drejtësisë, dhe çelësi i të gjitha aktakuzave të bllokuara ndodhet në dy adresa me një zot të përbashkët. Gjyqësori dhe prokuroria janë në kthetrat e politikanëve të mëparshëm, dhe duhet të çlirohen. Nuk mund për miliona para të vjedhura të mos ketë përgjegjësi për shkak të afërsive politike të dikujt. Dhe nëse në këto raste nuk ka drejtësi, atëherë çfarë ndodh me shumë raste të tjera të qytetarëve që janë bllokuar për çështje të vogla, por për ta shumë të rëndësishme – mes tyre prona, padi penale, mosmarrëveshje civile.
Dhe për këtë “reset” të sistemit që do ta zbatojmë, nuk mendoj për hakmarrje, sepse gjatë këtyre muajve të fundit kam treguar se drejtësia është e njëjtë për të gjithë, edhe për, siç thotë kundërshtari ynë “për tanët dhe për tuajt” – dhe këto kategori nuk do të kenë dallime dhe për mua janë të panjohura. Ose dikush ka gabuar para ligjit, ose nuk ka gabuar para ligjit. Ose është kriminel, ose jo. Ose do të ketë drejtësi, ose nuk do të ekzistojmë.
Por duhet të ekzistojmë, dhe duhet të fitojmë duke ndërtuar një sistem në të cilin do të besojmë dhe që do t’ua lëmë njerëzve profesionistë e të ndershëm.
Gjëja e dytë që dua ta theksoj është përkushtimi ndaj asaj që kërkon populli – rezultate dhe punë. Mund të them se edhe në periudhë fushate po punoj për investime të reja që së shpejti do t’i shpall, dhe çdo mëngjes mbaj takime për projekte dhe masa të reja që do t’i ndërmarrim bashkë me kolegët e mi në Qeveri, jo vetëm deri në fund të vitit, por edhe në 5-6 vitet e ardhshme, të cilat do t’i japin shtetit një pamje dhe energji të re.
Beteja më e rëndësishme nga të gjitha është beteja për standardin dhe jetën e njerëzve. Dhe këtu do të jap gjithçka nga vetja që populli dhe të gjithë qytetarët të jetojnë më mirë, më të pasur, në një sistem që nuk do t’i zhgënjejë dhe që do të bazohet në parime dhe vlera. Duhet ta dini – jemi në rrugën e drejtë dhe e ardhmja do të jetë e jona.
Prandaj sot, kur e festojmë guximin e paraardhësve tanë, le ta dinë edhe pasardhësit tanë – Maqedonia ecën në rrugën e drejtë!
Rrugë e dinjitetit, e punës, e dijes dhe e fitores!
Rrugë në të cilën kanë ecur ata që nuk janë trembur nga errësira, sepse në zemër kanë mbajtur dritë – dritën e lirisë.
Po, ndoshta rruga nuk është e lehtë. Por është ajo e drejta, nuk është e turpshme.
Dhe këtë rrugë e ndërtojmë me zemër, me besim dhe me dashuri ndaj atdheut.
Çdo hap është për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të rinjtë që duan të qëndrojnë këtu, në shtëpi.
Kjo është koha e gjeneratës që nuk heziton – gjenerata që e ndërton vendin e saj me vepra, jo me fjalë!
Gjenerata që e vazhdon luftën e nisur më 11 Tetor – luftën për dinjitet, drejtësi dhe liri!
Ecim me të njëjtin besim dhe me të njëjtën ide se Maqedonia është e përjetshme përderisa ka njerëz që e duan!
Ecim me një zemër që nuk trembet, me një popull që po bashkohet sërish, me një gjeneratë që beson se atdheu ka të ardhme!
Kjo nuk është rrugë për fitore të shkurtra.
Kjo është rruga e qëndrueshmërisë. Rruga e punës, e dijes, e veprave.
Në rrugën e drejtë nuk ka vend për tradhti, nuk ka vend për frikë, nuk ka vend për ndarje.
Nga Kumanova deri në Manastir, nga Dibra deri në Dellçevë, nga Kratova deri në Prespë – po zgjohemi sërish!
Po bëhemi një vend që beson në vetvete, vend që krijon, vend që nuk ka frikë të ëndërrojë ëndrra të mëdha!
Prandaj, me kokat lart dhe krenarë dhe me zemra plot dashuri,
të themi me zë të lartë dhe të qartë:
Ne jemi ata që ecim në rrugën e duhur – për një atdhe që ka të ardhme!
Dhe kur të kthehemi dhe ta shohim flamurin e kuq me diellin e lirisë,
të kujtojmë se ai diell lind vetëm për ata që nuk dorëzohen!
Gëzuar dhe qoftë e përjetshme kjo festë,
Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë në rrugën e duhur, për një atdhe që ka të ardhme!
Qofshi shëndoshë e mirë!