Ministri Misajllovski kryeson delegacionin maqedonas në Bruksel në takimin e Këshillit Veriatlantik të NATO-s, në nivel të ministrave të mbrojtjes

Sot (15 tetor), në Selinë e NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski mori pjesë në një takim të Këshillit të Veriatlantik të NATO-s, ku ishin të pranishëm ministrat e mbrojtjes të të gjithë 32 aleatëve.

Gjatë takimit, ministrat e mbrojtjes diskutuan disa tema të lidhura me sigurinë. Ata bashkërisht rikonfirmuan angazhimin për zbatimin e detyrimeve të marra në Samitin e Hagës në qershor të këtij viti, veçanërisht në kontekstin e zhvillimit intensiv të aftësive dhe kapaciteteve, si dhe në lidhje me investimet në mbrojtje. Po ashtu, ministrat ranë dakord se Aleanca dhe vendet anëtare janë plotësisht të përkushtuara ndaj mbrojtjes dhe parandalimit, si dhe ndaj mbrojtjes së çdo pëllëmbë të territorit aleat.

Ministri Misajllovski shprehu mbështetje të plotë për përpjekjet për forcimin e aftësive të Aleancës, duke theksuar rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mbetet i qetë, i qëndrueshëm dhe i sigurt. Misajllovski deklaroi se vendi ynë mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj kontributit në sigurinë kolektive, duke pasur parasysh angazhimin në misionin KFOR në Kosovë dhe pjesëmarrjen në kuadër të forcave shumëkombëshe të Aleancës në Bullgari, Rumani dhe Letoni. Ministri, para kolegëve nga vendet anëtare, theksoi se Armata maqedonase po pajiset dhe modernizohet intensivisht, dhe se vendi ka një plan të qartë për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe siguri, në përputhje me vendimet e Samitit të NATO-s në Hagë.

Në takimin e Këshillit NATO – Ukrainë, ku merr pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, vendet anëtare të NATO-s do të rikonfirmojnë angazhimin për mbështetje të vazhdueshme dhe afatgjatë për Ukrainën.

Në kuadër të aktiviteteve të sotme në Selinë e NATO-s, ministri Misajllovski do të marrë pjesë edhe në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën.