MPPS: Inspektorati Shtetëror i Punës me kontrolle të shtuara lidhur me pagesën e K-15 Inspektorati

Shtetëror i Punës kryen kontrolle të shtuara në firmat private lidhur me pagesën e K-15 për punëtorët. Mbikëqyrja inspektuese, e cila ka filluar që nga fillimi i vitit, do të zbatohet deri në fund të shkurtit, kurse inspektorët i vizitojnë subjektet juridike nga të gjitha veprimtaritë, duke përfshirë fabrikat e tekstilit dhe të këpucëve.

Mbikëqyrja e shtuar inspektuese në sferën e prodhimit të tekstilit dhe këpucëve është për shkak të faktit se numri më i madh i denoncimeve në vitet e fundit ishin nga punëtorët në veprimtaritë e lartpërmendura. Theksojmë se në rastet ku do të konstatohet se nuk është vepruar në pajtim me Ligjin dhe Marrëveshjet Kolektive, Inspektorati Shtetëror i Punës do të marrë masa në përputhje me Ligjin.

Inspektorati Shtetëror i Punës është organ që është kompetent për të kryer mbikëqyrjen inspektuese mbi zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve të punëtorëve dhe punëdhënësve të përcaktuara me Ligj dhe Marrëveshje Kolektive. Në këtë drejtim, gjatë mbikëqyrjes inspektuese, do të kontrollohet pagesa e regresit për pushim vjetor (К-15), e drejtë kjo e përcaktuar me Marrëveshjen për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat nga sfera e ekonomisë. Në Marrëveshje është përcaktuar se punëtori ka të drejtë për regres për pushim vjetor në shumë prej së paku 40% të bazës, me kusht që punëtori të ketë punuar së paku 6 muaj në vitin kalendarik tek i njëjti punëdhënës.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje punëtorëve që ta paraqesin mospagesën e K-15 në numrin e telefonit kujdestar të Inspektoratit Shtetëror të Punës 15 131.