Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot u takua me Sekretarin e Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Janis Brahos i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori Dimitris Janakakis dhe delegacioni nga Zyra e Çështjeve Ekonomike në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Greqisë.
Në takim është biseduar për përfitimet e arritjes dhe zbatimit praktik të Marrëveshjes së Prespës dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhëniet midis dy vendeve mike, e cila do të rezultojë në rritjen e shkëmbimit tregtar dhe përfitimeve ekonomike që do të jenë të dukshme dhe do të ndjehen nga qytetarët në të dy vendet.
“Për ne është kënaqësi e madhe që sot na vizituat. Takimet e tilla në të ardhmen do të jenë praktikë më e shpeshtë dhe e rregullt, sepse me Greqinë filluam të ndërtojmë miqësi të sinqertë të cilën do ta zhvillojmë përmes bashkëpunimit në rritje, para së gjithash në planin ekonomike, e më pas edhe në fusha të tilla si kulturë, arsim dhe shëndetësi. Duam që t’u tregojmë qytetarëve të Greqisë fqinje, që jemi të përkushtuar për zbatimin e plotë dhe respektimin e Marrëveshjes së Prespës, se do të punojmë për përparimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përfitimet do të jenë të dukshme për qytetarët e të dy vendeve ", tha Kryeministri Zaev.
Sekretari i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ekonomike në Ministrinë për Punë të Jashtme të Greqisë, Janis Brahos, përsëriti angazhimin e Greqisë për ndërtimin e miqësisë me vendin tonë dhe intensifikimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike nëpërmjet iniciativave për bashkëpunim më të ngushtë dhe koordinim të dikastereve ekonomikë nga të dy vendet.
Kryeministri Zaev theksoi rolin e rëndësishëm të liderit që Greqia e ka në rajon për rritjen e bashkëpunimit rajonal, që është hap i rëndësishëm për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe njoftoi se procesi i anëtarësimit të plotfuqishëm të vendit tonë në NATO zhvillohet në kohë të duhur dhe të menjëhershme dhe gjithashtu është një sukses i madh për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj.
Në takim u theksua se tani është momenti i duhur për të arritur rezultate konkrete në planin ekonomik përmes partneritetit strategjik mes dy vendeve, siç parashikohet në
Marrëveshjen e Prespës dhe në veçanti duke intensifikuar bashkëpunimin e projekteve që nënkuptojnë lidhje energjetike dhe infrastrukturore.