Ministri për Marrëdhënie me Diasporën, Edmond Ademi, po merr pjesë në Samitin e dytë të Diasporës shqiptare në Tiranë. Samiti ka nisur dje më 28 shkurt dhe do të zgjasë deri më datë 2 mars.
Ministri Edmond Ademi, sot ka prezantuar në panelin me temë: “Vota si e Drejtë! Politika e re Shtetërore për Diasporën”.
Ademi mes tjerash ka veçuar se, politikat e reja duhet të mëtojnë që diasporën ta inkuadrojnë në politikbërjen e brendshme.
“Duke i dhënë të drejtën e votës diasporës, ajo bëhet më vitale dhe frytdhënëse në kontributin për atdheun. E drejta e votës së diasporës e bën diasporën të mos ndjehet si e huaj në vendlindje”.
Ministri ka veçuar më tutje se Qeveria dhe ministria për Marrëdhënie me Diasporën ka shkuar një hapë tutje në forcimin e interaksionit shtet -diasporë. Duke theksuar se ministria për Marrëdhënie me diasporën ka përpiluar një Strategji shtetërore për diasporën, e cila do të gjejë shumë shpejtë vend edhe në praktikë.
“Strategjia ka për qëllim sigurimin e mekanizmave për bashkëpinim në mes shtetit dhe diasporës. Thellimin e bashkëpunimit kulturor, politikave rinore,... ndërtimin e bashkëpunimit në sferën e biznesit. Strategjia shtetërore për bashkëpunim me diasporën do të implikojë nevojën për involvimin e më shumë institucioneve. Do të tentojmë të sigurojmë përgjegjësi publike të ministrive kompetente dhe institucioneve tjera, si dhe organizatave në diasporë, për përparimin dhe përmbushjen e synimeve dhe aktiviteteve”, ka pohuar ministri Ademi.
Në kuadër të aktiviteteve në Tiranë, ministri Ademi do ë realizoj takim edhe me diasporën e Maqedonisë së Veriut.
Aktivitetet e ditës sotme në Tiranë do të rrumbullaksohen me pjesëmarrjen e ministrit Edmond Ademi në Mbrëmjën Gala, në Pallatin e Kongreseve.