Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka pranuar letër nga ish nënpresidenti i SHBA-ve, Xho Bajden, në të cilën thekson se pati nderin që u takua me Kryeministrin Zaev në Konferencën për Siguri në Mynih dhe për bisedën e realizuar në të cilën shkëmbyen mendime për çështjet aktuale politike.
“Edhe njëherë Ju uroj për Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë. Jam i bindur se Marrëveshja është zhvillim serioz pozitiv për integrimin dhe unitetin evropian. Siç theksova në bisedën në Mynih, suksesi i Maqedonisë së Veriut, është sukses edhe për tërë Evropën dhe kjo është mirë për të gjithë”, shkruan në letër ish nënkryetari i SHBA-ve Bajden.
Bajden shkruan se me padurim e pret ditën kur RMV do të pritet si anëtare e plotfuqishme e NATO-s.
“Vizioni juaj i vendosi themelet e sigurisë dhe udhëheqjes suaj si Kryetarë i Qeverisë dhe kjo nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mbahet mend si arritje historike”, theksoi në letrën e tij Xho Bajden.
Ish Nënkryetari i SHBA-ve Xho Bajden përfundoi letrën e tij me besimin se miqësia ndërmjet dy popujve në vitet në vijim do të përforcohet.
“Ju siguroj se unë personalisht do të përfaqësoj politikat dhe përkushtimin tuaj për një të ardhme më të mirë”, thuhet në letrën e ish Nënkryetarit të SHBA-ve Xho Bajden deri te Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.