Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe deputeti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Samka Ibraimoski, i shoqëruar nga ministri pa portofol i ngarkuar për implementimin e Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bajram, mbajtën fjalim me rastin e shënimit të Ditës së Romëve – 8 prill.
Në këtë rast solemn, ministri Bajram gjatë fjalimit të tij, theksoi se është me rëndësi të madhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Romëve, e cila i përshin nevojat reale të Romëve në sferën e arsimit, strehimit, punësimit dhe shëndetësisë dhe u bëri thirrje për vetëdije dhe përgjegjësi më të madhe për nevojat e komunitetit rom në shoqërinë tonë.
Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut synon të arrijë kohezion social dhe zhvillim të barabartë dhe është fuqimisht i përcaktuar të ndërtojë një shoqëri gjithëpërfshirëse, me çka do të mundësohet integrim i plotë social i komunitetit rom.
Në vazhdim të kësaj kumtese ju dërgojmë fjalimin integral të Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe e gjithë bota, më 8 prill feston dhe kremton një traditë, besim dhe kulturë unike. Tradita, besimi dhe kultura e romëve, si vlerë e rëndësishme në trashëgiminë kulturore maqedonase dhe botërore.
Kongresi i parë botëror i romëve, i mbajtur më 8 prill 1990, është një nga datat më të rëndësishme historike për komunitetin rom, mu për atë se romët me të përfituan himnin dhe alfabetin e tyre, por me të romëve u garantohet e drejta për të qenë të barabartë në shoqëri dhe t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, pa diskriminim.
Për ne, për këtë Qeveri, qëllimet e atij Kongresi dhe Platformës Evropiane për përfshirjen e romëve nuk janë vetëm obligim.
Këto synime për të drejta të barabarta dhe një jetë dinjitoze për të gjithë, janë mbi të gjitha një dëshirë, që të ndërtojmë shoqëri gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut dhe Evropën gjithëpërfshirëse, ndërsa janë besim i sinqertë se kjo është rruga për një vend të suksesshëm, të përbashkët, vend për të gjithë të integruar në BE dhe NATO.
Përcaktimi jonë të ndërtojmë dhe kultivojmë shoqëri të barabartë për të gjithë, qëllimi ynë të ndërtojmë shoqëri civile, njëkohësisht me respekt për dallimet sociale, etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore – pikërisht janë veçantia dhe esenca e unitetit tonë. Ky unitet që ndërtohej me shekuj për ne është detyrim për të ardhmen tonë të përbashkët.
Dita ndërkombëtare e Romëve, 8 prilli, është edhe ditë e vetëdijes qytetare.
Prandaj, në fjalimin përshëndetës dëshiroj t’i ftoj për një vetëdije më të lartë qytetare për nevojat e qytetarëve romë në shoqërinë tonë të përbashkët!
Dhe tashmë kemi ndërmarrë hapat e parë drejt zgjidhjes së problemeve të hidhura me strehimin, posedimin e dokumenteve personale, martesat e mitura, qasjen në punësim, sigurimin shëndetësor, përfshirjen e romëve në kulturë dhe arsim, për të cilën me përkushtim punon Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me komunat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Për të gjithë ne, nga të gjitha kombësitë dhe fetë – na duhen edhe të drejta arsimore dhe kulturore – por na duhet edhe jetë dinjitoze. Dhe është fakt që ndër më të prekurit për çështjet e përmendura janë pikërisht qytetarët romë.
Është përgatitur Programi për ndarjen e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2019 për mbështetjen e zbatimit të Dekadës dhe Strategjisë së romëve për projekte komunale dhe infrastrukturore, ato zbatohen në të gjithë vendin.
Veprimtaria u iniciua nga Kabineti i Ministrit pa portofol, në kuadër të grupit punues të përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
Këto projekte infrastrukturore do të plotësohen në ato që tanimë që janë realizuar në vitin e kaluar në 10 komuna të cilat kanë përfaqësim të rëndësishëm për komunitetin e romëve dhe atë: Shtip, Vinicë, Suto Orizarë, Delçevë, Tetovë, Pehçevë, Berovë, Koçan, Manastir dhe Kumanovë – janë realizuar projekte për përmirësimin e projekteve komunale dhe infrastrukturore në vendbanimet rome.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, bashkë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian dhe bashkë me komunat, filluan projekt me qëllim të mbështetjes së zhvillimit lokal, promovimit të qeverisjes së mirë dhe përforcimit të përfshirjes së romëve në nivel lokal.
Me rëndësi është pjesëmarrja politike e qytetarëve romë në vendimmarrje në lidhje me avancimin e pozitës së romëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, ju ftoj juve, përfaqësues të respektuar të komunitetit rom, të kyçeni edhe më tepër. Të jepni kontributin tuaj, të ngremë e të nxisim vazhdimisht secilin rreth nesh. Të jemi të zëshëm dhe të dukshëm.
Me këto angazhime arrihet barazim i shkallës së përfshirjes dhe integrimit të romëve me të gjitha komunitetet e tjera etnike në vend.
Toleranca është kushti më i rëndësishëm për marrëdhëniet demokratike ndërmjet grupeve të ndryshme sociale dhe shoqërore. Në konceptin "Një shoqëri për të gjithë", toleranca dhe solidariteti janë vlera jonë e përbashkët.
Në të njëjtën kohë, duke e zhvilluar tolerancën dhe solidaritetin, së fundmi krijojmë kushte për t'i dhënë fund padurimit, urrejtjes, rrahjeve nëpër shkolla, rrugë apo stadiume.
Dukuritë e tilla nuk i përkasin vendit tonë, një shoqërie demokratike. Detyrë për të gjithë ne është të bëjmë gjithçka, që ato incidente të ekspozohen në opinion dhe të dënohen. Në ndërkohë, të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i ndaluar ato. Mos të hymë në atë zinxhir të së keqes. Në vend të kësaj, të merremi vesh, vetëm në këtë mënyrë do të kuptohemi.
Edhe romët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut patjetër të jenë të gjithë aktivë dhe përgjegjës në kontributin e krijimit të një shoqërie të barabartë për të gjithë dhe një shtet që investon për qytetarët e saj, shtet që është pjesë e botës globale demokratike.
Edhe një herë, miq dhe bashkëqytetarë të mi përzemërsisht ju uroj për festën – Ditën Ndërkombëtare të Romëve”.