Kryeministri Zaev pranoi mirënjohje për kontributin në paqen, mirëqenien, zhvillim dhe integrimin e romëve: Qëllimi ynë është i sinqertë që së bashku të realizojmë përfshirjen dhe kyçjen e drejtësisë dhe të drejtave për të gjithë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot priti një delegacion të shoqatës Qendra Nacionale e Romëve (QNR), me ç’rast drejtori ekzekutiv Ashmet Elezovski, Kryeministrit Zaev i dha mirënjohje për kontributin e dhënë në sigurimin e paqes, mirëqenies, zhvillimit dhe integrimit të romëve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë në shtet.

Në takimin i cili u mbajt në sallën solemne të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e Qendrës Nacionale të Romëve, me fjalime të veçanta e njoftuan Kryeministrin Zaev për punën e tyre dhe për qëllimet e programeve, duke theksuar se ata punojnë në përmirësimin e të drejtave jo vetëm të pjesëtarëve të komunitetit të romëve, por edhe të të gjithë qytetarëve me strukturë të ndryshme sociale dhe etnike, sidomos kategorive më të prekura dhe të margjinalizura sociale.

“Kjo ditë, 8 prilli – Dita Ndërkombëtare e Romëve, është mundësi që të ju themi faleminderit për të gjithë atë që keni bërë për fëmijët, gratë dhe në përgjithësi për të drejtat e romëve, për përmirësimin e nivelit të cilësisë së jetesës, si dhe për qytetarët tjerë, sepse angazhimi juaj është pasuri e paçmuar dhe ndihmë për përpjekjet dhe masat të cilat i ndërmerr Qeveria”, theksoi Kryeministri Zaev duke ua uruar festën dhe potencoi se në emër të pushtetit ekzekutiv dhe të të gjithë qytetarëve shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë aktivitetin e organizatave qytetare, me shpresë se Qeveria në mënyrë plotësuese do ti motivojë në përpjekjet e mëtejshme.

Kryeministri nënvizoi se Qeveria është e drejtuar që të punojë në aspektet sociale, për përmirësimin e infrastrukturës, kushtet për arsimimin dhe punësimin e pjesëtarëve të komunitetit rom.

“Kemi qëllim të sinqertë që të arrijmë një shoqëri të barabartë për të gjithë qytetarët”, porositi Kryeministri Zaev duke nënvizuar se Republika e Maqedonisë së Veriut krijon kushte për jetesë të cilat korrespondojnë me një shtet anëtarë të Bashkimit Evropian.

Duke ia dorëzuar Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut mirënjohjen për kontributin e deritanishëm për zhvillimin e shoqërisë me mundësi të barabarta, drejtori Elezovski dhe kryetarja e Bordit Drejtues të shoqatës, znj. Nada Stojmenova, theksuan se Qendra Nacionale e Romëve do të vazhdojë me misionin për zgjedhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe grupet më të prekura të cilët kanë nevojë për ndihmë sociale, shëndetësore dhe juridike, me të vetmin qëllim për të realizuar përfshirjen sociale dhe kyçjen e drejtësisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë.