Kryeministri Zaev në darkën e iftarit organizuar nga Oda ekonomike maqedonase-turke: Republika e Maqedonisë së Veriut është familje e besimeve të ndryshme, të cilat mes vete jetojnë në harmoni

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dje ishte mysafir në darkën e iftarit me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit,  organizuar nga Oda ekonomike maqedonase-turke në vend. Në darkën e iftarit përveç kryetarit të Odës ekonomike maqedonase-turke, Ajdovan Ademovski, fjalim mbajti edhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, të cilin ua përcjellim në tërësi.

 

“Agjërimi është periudhë kur familjet mblidhen, miqtë shoqërohen dhe i përkushtohen vetë-reflektimit dhe mendimit.

Ju kam si familje dhe  është nder që më keni ftuar mua dhe Qeverinë të jemi së bashku me ju kur i plotësoni obligimet tuaja të shenjta.

Obligime që thërrasin për lutje dhe për respekt të ndërsjellë, për angazhim rreth së drejtës, avancimit, tolerancës dhe dinjitet për të gjithë qytetarët.

Agjërimi është mohim nga kënaqësitë tokësore dhe ndijore që është vlerë e përbashkët e shumë besimeve, duke përfshirë edhe besimin tim të krishterë. Kjo është kohë kur e forcojmë shpirtin që të pranojmë faktin se ndryshimet që duam t’i bëjmë duhet të fillojnë në zemrat tona dhe në bashkësitë tona.

Me çdo iftar gjatë agjërimit në Ramazan fitojmë mundësi që të inkurajojmë dhe të ruajmë komunitetin tonë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një shtet, një familje të besimeve të ndryshme, të cilat mes vete jetojnë në harmoni dhe e vazhdojnë traditën që si amanet na e kanë lënë gjeneratat e mëparshme.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ruan marrëdhënie  partneriteti, por edhe marrëdhënie miqësore me të gjithë përfaqësuesit e Odës  ekonomike MATTO.

Kjo është edhe një mundësi  t’i konfirmojmë dhe t’i riafirmojmë marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe me Republikën e Turqisë, shtet i cili është mik i madh i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me të cilin ruajmë miqësi tradicionale.

Këto raporte dhe miqësi vazhdimisht rriten. Vetëm në periudhën janar-shkurt të vitit 2019 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar me  Republikën e Turqisë kemi rritje të vëllimit të këmbimit tregtar për 10,7 për qind.

Të dashur miq, agjërimi i Ramazanit le  t'ju sjellë paqe dhe begati në familjet tuaja dhe forcë për të gjitha përpjekjet e ardhshme në projektet tuaja profesionale.

Le të jetë për shumë vite. "