Zaev në pyetjet e gazetarëve: Me plot përgjegjësi vendosa të kërkoj mandat të ri, të plotë dhe të pastër, që të vazhdojmë në rrugën në të cilën jemi nisur, sepse çdo rrugë tjetër është qorrsokak

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp me rastin e vendimit të Këshillit Evropian për të anuluar vendimin për fillimin e negociatave me vendin tonë, u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.

Në pyetjet se për cilat shkaqe u mor vendimi për zgjedhje të parakohshme, meqë paraprakisht vlente qëndrimi se pa marrë parasysh vendimin e Brukselit, zgjedhje të parakohshme nuk janë opsion, Kryeministri Zaev theksoi se vendimi i Brukselit është gabim historik i cili krijoi rrethana për të cilat populli duhet të vendos me anë të zgjedhjeve se a do të qëndrojë vendi në rrugën e njëjtë.

“Deri më sot insistoja që vendit tonë i duhet parashikim. Ne e ndjejmë këtë edhe në rritjen e ekonomisë, por edhe në vendet e reja të punës edhe në rritjen industriale, eksportin, sundimin e së drejtës, nga përfitimet e reformave... Por, siç cekëm u bë gabim historik nga BE-ja dhe në këso rrethanash populli duhet të vendosë se a do të qëndrojmë të gjithë në rrugën e njëjtë. Unë besoj që – po. Në rrugën e integrimeve, në rrugën e asaj që deri tani na ka motivuar, në rrugën e asaj që na mbushte me energji të punojmë dhe na jepte shpresë që të punojmë më shumë. Për ne nuk ka alternativë për BE dhe NATO. Prandaj po e përmirësoj qëndrimin tim dhe thërras në zgjedhje të parakohshme, me qëllim të mos humbim kohë duke ditur që ky është vendim për të cilin hapet proces për tu deklaruar të gjithë të tjerët” tha Kryeministri Zaev.

Gazetarët në konferencën për shtyp pyetën se a ka ekzistuar si opsion dorëheqja e Kryeministrit, në të cilën Kryeministri Zaev u përgjigj se të gjitha opsionet kanë qenë të hapura dhe se do të respektohet procedura ligjore për këtë çështje në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës.

 

“Ndjeva zemërimin dhe zhgënjimin e popullit por thash, unë nuk kam të drejtë të dorëzohem nga lufta. Unë si gjithë qytetarët, e dua vendin dhe popullin tim. Populli ynë na e jep mandatin dhe nderin të udhëheqim dhe të zbatojmë politika. Tash ai do të vendos, populli le të vendos në zgjedhje se a do të vazhdojmë në këtë rrugë. Nëse vazhdojmë, unë do të kërkoj mandatin, të plotë dhe të pastër që të vazhdojmë këtë rrugë, sepse çdo rrugë tjetër është qorrsokak. Në lidhje me tërheqjen time, ashtu siç thotë ligji ashtu do veprojmë. Nesër pas takimit te Pendarovski, do të kemi takim me të gjitha partitë e koalicionit, e më pas do të merremi vesh rreth detajeve. Do ta respektojmë procedurën për të pasur zgjedhje të pastra, të drejta dhe demokratike dhe bashkërisht të vendosim për datën”, u përgjigj Kryeministri Zaev në këtë pyetje të gazetarëve.   

Në lidhje me vazhdimësinë e reformave, Kryeministri Zaev theksoi se është i bindur se ato duhet të vazhdojnë të zbatohen si deri më tani, në koordinim të ngushtë me BE-në.

“Aspiratë e jona nuk është vetëm anëtarësimi, por edhe të ta sjellim Evropën në vend. Në këto rrethana do t’ju tregojmë të gjithëve se vlejmë dhe se gjithçka që kemi arritur, do ta përforcojmë edhe në periudhën që vijon. Të vazhdojmë me zbatimin e reformave në gjyqësi, në arsim, në shëndetësi me standardet evropiane për qytetarët tanë. Deri në zgjedhje do të vazhdojmë me punë drejt reformave, tërësisht të përqendruar dhe të përkushtuar”, theksoi Kryeministri Zaev.

Në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ai theksoi se kjo situatë nuk duhet të pengojë zbatimin e saj, me qëllim që të përshpejtohen integrimet tona euro-atlantike, por edhe të ndërtojmë miqësi.

“Kemi mik të ri Greqinë, me potencial serioz investues. Perspektivë gjigante për bashkëpunim në çdo aspekt. Ajo është fqinja jonë. Zgjedhjet do të jenë amalgam, që do të kontrollojnë a do të vazhdojmë të përforcojmë miqësinë apo përsëri do të shkaktojmë sherre. Marrëveshjet duhet ti zbatojmë me respekt reciprok” tha Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Zoran Zaev.

Në lidhje me vendimin e Francës dhe pesimizmin e shprehur të Presidentit francez për procesin e zgjerimit të BE-së, Kryeministri Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut e dëshiron anëtarësimin në BE për shkak të vlerave.

“Jini të sigurt, këtu do të jetë si në Evropë. Fëmijët tanë do të ndjehen si fëmijët në Evropë. Ne duhet të vazhdojmë të pretendojmë drejt kësaj. BE-ja do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe unë pres që kjo të ndodh sa më shpejtë. Më janë paraqitur gati se të gjithë liderët dhe më inkurajuan që të mbetemi në këtë rrugë. Dhe do të bëhemi anëtare e BE-së”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zaev në pres konferencën për shtyp, me rastin e vendimit të Këshillit Evropian.