Kryeministri Zaev: Të rinjtë do ti mbajmë dhe do ti kthejmë në vend me kushte të mira sociale dhe ekonomike, marrëveshjet me fqinjët dhe plotësimi i integrimeve euro-atlantike janë për ta

“Vetëm standardet sociale të qytetarëve japin sukses. Aty ku ka mirëqenie sociale ku mjedisi i përgjithshëm është me të vërtetë i mirë, kjo është ajo që i bën të lumtur të gjithë qytetarët. Kemi një rritje prej 637 më shumë të sapolindur sesa të vdekur. Këto krahasime i bëj për shkak të dramaturgjisë me të cilën ju i tregoni të dhënat”, u përgjigj Kryeministri Zaev në  pyetjet  e deputeteve  duke iu referuar trendit të të sapolindur në tetë vitet e fundit.

 

“Por, e vërteta dhe të dhënat thonë, në vitin 2010 janë 24.507 të sapolindur, në vitin 2014 janë 23,334, në vitin 2017 janë 21.754. Ka rënë trendi për tetë vite pas.  Keni shpenzuar miliona, nuk e di se çfarë keni bërë. Kjo dëshmon se ne duhet të jemi përgjegjës, të sjellim politika të përbashkëta, qytetarët të na shohin së bashku, që ndonjëherë qëndrojmë së bashku për disa çështje me interes shtetëror”, tha Kryeministri Zaev, duke shtuar se  krijimi i një ambienti të tillë në shtet do të ishte më i suksesshëm për shkak se politikat ekonomike do të sjellin rezultat më të mirë, ambient më të sigurt për të rinjtë, të cilët më pas krijojnë familje me shumë fëmijë duke u ndjerë të sigurt në vendin e tyre.

Ai shtoi se politikat që po zbatohen tani, rritja e pagave, vendet e reja të punës, shtesa e të rinjve do të sjellë ndryshime edhe në këtë plan.

 

“Jam i sigurt se po vjen një kohë e tillë. E vetmja mënyrë e saktë për të shpresuar se këto numra që sjellin zemërim do ti rregullojmë me rrugën drejt integrimeve. Ose do të shkojmë kolektivisht në Evropë ose do të vazhdojnë të na shkojnë në Evropë individualisht. Prandaj duhet të vazhdojmë me politika të përgjegjshme të cilat do ti motivojnë të rinjtë të ngelin këtu. Dhe më në fund të fillojnë të kthehen”, tha Kryeministri Zaev, duke dhënë shembuj nga vendet tjera, anëtare të BE-së, si Letonia, vendet e grupit të Vishegradit, ku të rinjtë kanë filluar të kthehen pas më shumë se në dhjetëra vitesh kur janë krijuar kushte të favorshme ekonomike dhe sociale.

 

"Në fund të ditës dhe Marrëveshja me Bullgarinë dhe Greqinë, NATO dhe BE dhe një shoqëri për të gjithë, është për këtë. Për të rinjtë, për fëmijët, për gjeneratat e ardhshme ", tha Kryeministri Zaev, duke theksuar se ne jemi në rrugën e duhur në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe marrim konfirmim nga të gjitha vendet miqësore.