Ministri i Shëndetësisë, dr. Venko Filipçe, në konferencën për shtyp informoi se sot janë regjistruar 7 pacientë të shëruar, kanë ndërruar jetë 3 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me COVID-19 që nga fillimi i epidemisë është 3152. Numri i pacientëve të shëruar është 1653, i të vdekurve 156, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend shënon 1343. Deri më tani janë bërë gjithsej 37027 testime të COVID-19.
Në raport me gjendjen e pacientëve në institucionet e shëndetit publik, ai theksoi se në Klinikën Infektive ka gjithsej 71 pacientë dhe nuk ka pacientë në ventilim mekanik. Në SQP “8 Shtatori” ka 42 pacientë, në aparat respirator janë 8 pacientë, ndërkaq me pasqyrë klinike më të rëndë janë 7 pacientë. Në spitalin e Manastirit janë hospitalizuar 13 pacientë, në spitalin e Shtipit janë hospitalizuar 24 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë dhe Prilep janë të hospitalizuar 39 pacientë.
“Gjatë javës së kaluar, u bë testim-skrining i targetuar i kontakteve të të infektuarve. Ekipet e qendrave për shëndet publik punojnë intensivisht në terren, në rajonet e krizës dhe numri të cilin e shohim këto ditë është rezultat i kësaj. Kjo pritej dhe një gjë të tillë e paralajmëruam. Testimi i tillë ishte një diagnozë e hershme dhe izolim në kohë i kontakteve me personat të cilët janë bartës të virusit në kuadër të klasterëve të njohur. U tregua se numri më i madh i të sëmurëve janë rezultat i takimeve familjare dhe takimeve tjera, pra me këtë strategji praktikisht i izoluam të gjitha kontaktet e të sëmurëve të cilët janë pa simptome. Ora policore gjatë fundjavës lejoi qasje më të lehtë dhe testim më të shpejtë të të gjithë kontakteve që paraprakisht ishte e vështirësuar gjatë ditëve të fundit. Është pozitive që përkundër rezistencës fillestare te një pjesë e kontakteve tani më kemi një bashkëpunim më të mirë dhe kemi arritur që më lehtë të qasemi dhe ti testojmë. Apeloj edhe njëherë te qytetarët që maksimalisht dhe në mënyrë korrekte të bashkëpunojnë me epidemiologët dhe të japin të dhëna të sakta. Një përqindje e madhe nga rastet e diagnostifikuara janë me pasqyrë të lehtë klinike ose janë asimptomatik dhe nga numri i përgjithshëm vetëm 8 pacientë janë në ventilim mekanik”, potencoi ministri Filipçe.
Ai theksoi se rreth 65% nga rastet aktive pozitive në Shkup kanë të bëjnë me rast të njohur dhe nga ato 90% përkasin 41 klastereve. E ngjashme është edhe gjendja edhe në 3 rajonet e tjera të krizës, ku përqindja më e madhe e të infektuarve është në kuadër të klasterëve të njëjtë.
“Analiza e klasterëve tregoi se të gjitha rastet e reja janë të ndërlidhura me një formë të grumbullimit, festimit në periudhën 24 dhe 25 maj, saktë para dy javëve, e cila u dëshmua me analisten te pyetësorët epidemiologjik. Analizat e bëra gjatë 7 ditëve të fundit tregojnë se arritëm që vatrat e virusit t’i mbajmë brenda njësive të caktuara territoriale, gjegjësisht nuk ka përhapje të dukshme jashtë tyre. Një nga dyshimet që u shfaq është përhapja në komunat e tjera në Shkup, siç janë komunat e Çairit, Sarajit, Gazi Babës dhe Butelit.
Kjo është e pritshme sepse Shkupi funksionon si një tërësi dhe se numri i të infektuarve të rinj në komunat tjera ka të bëjë me ngjarjet e periudhës së njëjtë. Në periudhën që vijon, Komisioni do të propozojë te Qeveria, ku në mbledhjen e nesërme do të diskutohet për kufizimet eventuale të lëvizjes”, tha ministri Filipçe dhe shtoi se mosrespektimi i masave për mbrojtje e solli valën e dytë në vend dhe të gjithë duhet të marrim mësim nga kjo.
Ai deklaroi se arritëm që ta amortizojmë mirë valën e parë dhe pa dhimbje ta vendosim ekonominë nën kontroll.
“Në moment të caktuar, ata që nuk i respektuan masat për mbrojtje personale, e as masat restriktive të cilët u vendosen, e rrezikuan edhe shëndetin e tyre dhe atë kolektiv, duke vendosur në një pozitë të palakueshme të gjithë qytetarët e tjerë që i respektuan masat. Edhe njëherë potencoj se virusi është këtu, ai mbetet dhe duhet të mësohemi të jetojmë me të. E gjitha bota vazhdon të jetojë me virusin dhe këto masa preventive janë universale kudo, mbajtja e maskës mbrojtëse, distanca, higjiena dhe dezinfektimi, për momentin të tjera nuk ka, as këtu dhe as në botë. Vetëm me respektimin e këtyre parimeve mund t’i japim fund epidemisë. Disiplina e qytetarëve, përgjegjësia personale dhe kolektive, më shpejtë do të na kthej drejt normalizimit të jetesës sonë. Apeloj te qytetarët t’i respektojnë masat, deri te institucionet kompetente për kontroll e zbatimit të masave, sepse çdo shkelje duhet të detektohet dhe të sanksionohet”, tha ministri Filipçe.