Kryetari i Parlamentit të shtetit gjerman të Hesse, Boris Rhein, dha “Çmimin e Paqes në Hesse” për vitin 2020 Kryeministrit Zoran Zaev dhe ish Kryeministrit grek Aleksis Tsipras në një ceremoni të veçantë.
Për shkak të pandemisë Covid-19, ky Çmim i Paqes i Fondacionit Albert Oswald u dha online për herë të parë këtë vit. Kryeministri Zoran Zaev dhuron pjesën e tij të shpërblimit në vlerë prej 25.000 euro Fondit të Solidaritetit për ndihmë dhe mbështetje në trajtimin e krizës së shkaktuar nga virusi korona Covid-19. Mes laureatëve të këtij çmimi shumë të rëndësishëm është edhe Dalai Lama.
“Me Çmimin e Paqes në Hesse, ne nderojmë dy njerëz që kanë bërë fushatë për paqe dhe mirëkuptim ndërkombëtar dhe që kanë arritur të zgjidhin një konflikt që ka rrënjë të thella në histori,” tha Rheun në një fjalim në ceremoni.
“Si Kryeministër i atëhershëm grek dhe Kryeministër i Maqedonisë, Zaev dhe Tsipras, arritën një marrëveshje mbi konfliktin dekada të gjatë midis vendeve të tyre rreth emrit “Maqedoni”, duke arritur kështu “një arritje të vërtetë diplomatike që askush nuk e ka bërë deri më tani. Pa to, mosmarrëveshja për emrin që ka zgjatur që nga pavarësia e Maqedonisë në 1991 do të vazhdonte të ndizej dhe mosmarrëveshja midis dy vendeve fqinje do të vazhdonte të destabilizonte të gjithë rajonin e Ballkanit. Mosmarrëveshja pothuajse tridhjetë vjeçare për emrin midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë u zgjidh paqësisht në 12 shkurt 2019 me marrëveshje. U gjet një kompromis, në të ardhmen emri i shtetit të sapo krijuar në 1991 të jetë “Republika e Maqedonisë Veriore”. Për herë të parë, filloi një periudhë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe u hap rruga për Maqedoninë e Veriut si një aleat i NATO-s dhe partner në Bashkimin Evropian. Suksesi i arritur me përfundimin e kësaj Marrëveshjeje të Prespës kishte një ndikim jashtë rajonit dhe i dërgoi një sinjal botës që nuk ka vetëm të drejtën e më të fortit dhe se edhe në botën e sotme ka ende një rrugë respekti dhe kompromisi, një rrugë e paqes dhe e stabilitetit. “Dhe me këtë, fituesit nuk kanë bërë asgjë më pak sesa të vazhdojnë rrugën evropiane në një mënyrë të shkëlqyeshme pa pasur nevojë të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar,” tha kryetari i parlamentit provincial të Hesse.
“Zaev dhe Tsipras devijuan nga modeli i insistimit në pozicione maksimale dhe kuptimi i marrëveshjes si humbje ose tradhti. Duke vepruar kështu, ata rrezikuan karrierën e tyre politike dhe u desh të negocionin një numër kompromisesh dhe koncesionesh brenda parlamenteve të tyre. Marrëveshja ka të bëjë me shpresën për bashkëpunim dhe partneritet të mirë midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve është një shembull i pajtimit midis rajonit dhe Evropës në tërësi”, Anëtarja e komitetit të dhënies së çmimeve, profesor Nicole Dietelhof.
Lista e fituesve të mëparshëm të “Çmimit të Paqes në Hessen”:
1994 Mariana Heiberg-Holst, Norvegji
1995 John Hume, Irlanda e Veriut
1996 Gregorio Rosa Chavez, El Salvador
1997 Hans Kosnik, Gjermani
1998 Alexander Swan, Rusi
1999 George J. Mitchell, Sh.B.A.
2000 Martti Ahtisaari, Finlandë
2001 Max von der Stoel, Hollandë
2003 Lakhdar Brahimi, Algjeri
2004 Hans Blix, Suedi
2005 Shenjtëria e Tij Dalai Lama 14-të
2006 Daniel Barenboim, Izrael
2007 Christian Schwarz-Schilling, Gjermani
2008 Sam Nan, SHBA
2009 Deha Ibrahim Abdi, Kenia
2010 Ismail Khatib, Palestinë
2011 Sadako Ogata, Japoni
2012 Elizabeth Dekreti Warner, Zvicër
2013 Dr. Muhamed Ashafa dhe Dr. James Wuye, Nigeri
2014 Rubem Cesar Fernandez, Brazil
2015 Ella Mikhailovna Polyakova, Rusi
2016 Federica Mogherini, Itali
2017 Carla del Ponte, Zvicër
2018 Prof. Shebnem Korur Finkanci, Turqi
2019 Dr. Abiy Ahmed, Etiopi.
Në vazhdim fjalimi i tërësishëm i Kryetarit i Parlamentit të shtetit gjerman të Hesse, Boris Rhein
Në një vit të pazakontë, ne po i japim Çmimin e Paqes Hesse 2020 Fondacionit “Albert Osvald”, i cili ndahet që 25 vjet, kjo është hera e parë që ndahet në formë digjitale, përmes këtij mesazhi që ju dërgoj, z. Kryeministër Zaev dhe i nderuar z Cipras, të dy fituesit e çmimeve të këtij viti. Sa të lumtur ishim që t’u përshëndesim të dy këtu në Vizbaden, por për shkak të pandemisë kjo nuk është e mundur. Nuk ka normalitet në këto kohë, megjithatë është mirë që ne t'i përmbahemi kësaj ceremonie çmimesh, sepse sot ne nderojmë dy njerëz që u angazhuan për paqe dhe mirëkuptim midis kombeve dhe që arritën të zgjidhnin një konflikt kaq të thellë në histori.
Ju të dy, si Kryeministri i atëhershëm grek dhe si Kryeministër maqedonas, arritët një Marrëveshje në konfliktin e gjatë midis vendeve tuaja Greqinë dhe Maqedoninë për emrin "Maqedoni". Me këtë, ju krijuat një vepër diplomatike arti të vërtetë, të cilën askush nuk e ka arritur më parë. Pa Ju, mosmarrëveshja për emrin që ka vazhduar që nga Pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991 do të vazhdonte të destabilizonte të gjithë rajonin e Ballkanit.
Mosmarrëveshja pothuajse tridhjetëvjeçare për emrin mes ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhej pas negociatave tuaja më 12 shkurt të vitit 2019 në një mënyrë paqësore duke kyçur një marrëveshje. U gjet një kompromis që merr parasysh interesat e fqinjëve. Në të ardhmen, emri i vendit, i krijuar rishtas në 1991, do të jetë "Republika e Maqedonisë së Veriut".
Në këtë kontekst, nuk bëhej fjalë vetëm për fjalë dhe emra. Konflikti mes Shkupit dhe Athinës u thellua. Bëhej fjalë për identitetin. Konflikti për emrin Maqedoni filloi pas shpërbërjes së Jugosllavisë me shpalljen e Pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, me të cilën ish Republika Jugosllave, Maqedonia, i dha vetes emrin "Republika e Maqedonisë". Greqia menjëherë paraqiti një kundërshtim mbi të njëjtin emër të rajonit të Maqedonisë në Greqi. Sqarimi ishte: emri Maqedoni është me origjinë Greke dhe nënkupton një zonë historike me kulturën dhe historinë e vet. Përkundrazi, territori shtetëror i Republikës së Maqedonisë kryesisht nuk ndodhet në zonën historike të Maqedonisë dhe emri është një uzurpim kulturor dhe historik për të krijuar një ndjenjë kombëtare. Për më tepër, emërtimi i vendit fqinj si Maqedoni mund të vlerësohet si kërkesë territoriale nga Republika e Maqedonisë ndaj territorit Grek. Përveç kontestit rreth emrit, kishte një konflikt për pamjen e flamurit. Për shkak të konfliktit, Greqia vinte veto për një kohë të gjatë në pranimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Republika e Maqedonisë i’u përgjigj argumentit grek se territori shtetëror ndodhet në rajonin historik të maqedonasve dhe se ndjenja kombëtare ekziston pavarësisht nga emri. Emri Maqedoni në vetvete nuk përbën automatikisht një pretendim territorial.
Konflikti mes dy vendeve u përshkallëzua në vitin 1994 me një bllokadë tregtare ndaj Maqedonisë nga ana e Greqisë. Në vitin 1995, bllokada u hoq kur të dy vendet nënshkruan një Marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, e cila, ndër të tjera, ra dakord edhe për ndryshimin e flamurit të Maqedonisë.
Megjithatë, mosmarrëveshjet vazhduan. Në vitin 2004, Maqedonia parashtroi kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Greqia vendosi veto; megjithatë, të dy vendet ranë dakord mbi normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe mbi të gjitha marrëdhëniet ekonomike. Hapi i parë, megjithatë, negociatat për një zgjidhje parimore të konfliktit do të qëndrojnë akoma për 14 vjet të tjera.
Në vitin 2018 të dyja vendet filluan bisedimet. Më në fund, më 12 qershor të të njëjtit vit, u arrit një Marrëveshje për një zgjidhje ,e kompromis: Maqedonia njoftoi se do të ndryshonte emrin e saj në "Republika e Maqedonisë së Veriut" dhe se në të ardhmen nuk do të kërkonte të drejtën e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë antike. Greqia nga ana e saj garantoi mbështetjen e saj për pranimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe njohjen e kombësisë dhe gjuhës së maqedonasve si maqedonase. Në mënyrë që Marrëveshja të hynte në fuqi, ajo ende duhej të miratohej nga të dy kuvendet. Kishte protesta kundër tij në të dy vendet, në Greqi madje edhe një kundër-fushatë e fortë. Pas referendumit të mossuksesshëm për shkak të daljes së ulët në shtator të vitit 2018 dhe ndryshimit të kushtetutës, Kuvendi maqedonas votoi në janar të vitit 2019 për të ndryshimin e emrit të shtetit, si dhe integritetin territorial të vendeve fqinje. Gjatë negociatave parlamentare në Greqi, koalicioni qeveritar u shpërbë, kështu që Kryeministri Cipras udhëhoqi një qeveri të pakicës nga fillimi deri në mes të vitit 2019. Pavarësisht protestave të shumta në Athinë kundër të ashtuquajturës Marrëveshje të Prespës, Kuvendi Grek ratifikoi marrëveshjen më 25 janar të vitit 2019 me një shumicë të ngushtë prej 153 votash kundër 146.
Kjo i dha fund mosmarrëveshjes 27-vjeçare, e cila ndalonte zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit dhe pasojat e të cilit vështirësuan shumë negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat evropiane dhe në NATO.
Dallimi mes asaj para dhe sot u bë nga dy politikanë të guximshëm: Ju të dy, i nderuar z. Cipras dhe i nderuar z. Zaev. Kjo është arsyeja pse ne ju përgëzojmë së bashku me Çmimin e Paqes Hesse 2020. Ne ju përgëzojmë për guximin tuaj në pranimin e kompromiseve të dhimbshme dhe që luftuar për Marrëveshjen e Prespës - pavarësisht rezistencës së fortë në të dyja vendet. Nuk ka shumë krerë të qeverive, si ju, z. Cipras, të cilët do të mbajnë kursin pavarësisht se vënë në rrezik koalicionin qeveritar.
Ju të dy u përballët me të gjitha vështirësitë. Atë që nuk arritën ta bëjnë qindra diplomatë, ju ia dolët me optimizmin dhe qëndrueshmërinë tuaj! Kjo u tha saktësisht nga Kryeministri Zaev, i cili gjatë negociatave tha: "Nëse do të ishte e lehtë, atëherë nuk do të kishim nevojë që ne të dy që ta realizonim këtë". Ju të dy ishit garancia e suksesit.
Koha e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes Greqisë dhe Maqedonisë filloi për herë të parë me ju të dy. Falë jush, Maqedonisë së Veriu i’u hap rruga si një aleate në NATO dhe një partner në Bashkimin Evropian. Ky sukses shkon përtej rajonit. Sinjali juaj i paqes i dërgon një sinjal botës. Nuk vlen vetëm e drejta e më të fortit. Në botën e sotme ekziston ende një rrugë e respektit dhe kompromisit, një rrugë e paqes dhe e stabilitetit. Me këtë nuk keni bërë asgjë më pak sesa të vazhdoni në një mënyrë madhështore rrugën evropiane, pa qenë e nevojshme të hiqni dorë nga identiteti juaj kombëtar.
Bordi administrues i Çmimit Hesse për Paqe nga Fondacioni “Albert Osvald” shkruan në lavdatë - Citoj: "Ju hoqët dorë nga modeli me të cilin insistohet në pozicion maksimal dhe arritja e një marrëveshje përjashtohet si humbje ose tradhti. Duke vepruar kështu, ju rrezikuat karrierën tuaj politike dhe u desh të negocioni për kompromise dhe koncesione të shumta në kuvendet Tuaja. Marrëveshja lind shpresë për bashkëpunim dhe partneritet të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. "Zgjidhja e mosmarrëveshjes është një shembull i pajtimit në rajon dhe në Evropë." Përfundon citimi.
Më lejoni z. Cipras t’u citoj fjalinë e jashtëzakonshme:
"Historia nuk duhet të shkruhet nga ata që investojnë në frikë dhe ndarje. Duhet të shkruhet nga ata që kanë guxim dhe largpamësi strategjike, për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme rrethanave dhe për të qëndruar në anën e duhur të historisë, pavarësisht të gjitha reagimeve." Këtë e bëtë të dy për shembull dhe reputacion.
Ju falënderoj në emër të Parlamentit provincial të Hesse dhe të Bordit administrues së Çmimit të Hesse për Paqe të Fondacionit “Albert Osvald” për angazhimet Tuaja për paqe dhe mirëkuptim mes popujve.
Urime të përzemërta për Çmimin Hesse për Paqe!