Bekteshi dhe Zekiri prezantuan shtatë thirrje publike për mbështetje financiare të sektorit gastronomik dhe turistik si pjesë e Pakos së gjashtë të masave ekonomike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zekiri sot informoi se janë të publikuara shtatë thirrje publike për mbështetje financiare të sektorit gastronomik dhe turistik, si pjesë e Pakos së gjashtë të masave ekonomike të Qeverisë për mbështetje të sektorëve më të prekur nga kovid-kriza.

Thirrjet publike kanë të bëjnë me agjencitë turistike, guidët turistik, artistët e estradës, kompani për organizimin e ngjarjeve,  këndet e lojërave, vendpushimet private për fëmijë, kabaretë, baret e natës, klubet e natës, disko-klubet dhe restorantet për dasma.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi informoi se Pakoja e gjashtë e masave është në vlerë prej 17,8 milionë euro, me të cilat do të mbështeten 10 mijë kompani, të cilat punësojnë rreth 60.000 qytetarë për të cilën pritet të japin rezultate të dukshme në turizmin vendor dhe ekonominë.

“Me dy thirrjet e para publike të cilat janë shpallur përfshihen të gjithë artistët e estradës dhe guidët turistikë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë pasur të ardhura mesatare mujore neto më të ulëta se 15.000 denarë, ndërsa mbështetja financiare  do të jetë në vlerën neto prej 30.750 denarëve për person. Për thirrjet publike për: ndihmë financiare për kompanitë – operatorë nga industria për organizimin e ngjarjeve, agjencitë që organizojnë ngjarje, etj, për ndarjen e mbështetjes financiare për këndet e regjistruara të lojërave dhe pushimoret private për fëmijë, për ushtrues të licencuar të veprimtarisë gastronomike kabare, bar nate, diskotekë dhe diskotekë në hapësirë të hapur, për restorante të regjistruara dhe kategorizuara për dasma dhe për mbështetje financiare të agjencive të licencuara turistike, si bazë për përllogaritje të mbështetjes merren të ardhurat mesatare mujore të realizuara në vitin 2019. Lartësia e mbështetjes përllogaritet si vlerë prej 30% e të ardhurave mesatare mujore, në mënyrë shtesë secili subjekt aktiv do të marrë mbështetje financiare në vlerë prej 15.200 denarëve për një të punësuar, sipas numrit të orëve efektive të punës, me prerje më 31.12. 2020”, informoi ministri Bekteshi.

Ministri precizoi se te agjencitë turistike vlera e mjeteve që do të ndahet do të varet nga të ardhurat e përgjithshme të realizuara në vitin 2019, numri i të punësuarve dhe lloji i licencës, ndërsa do të jetë nga 60.000,00 deri 300.000,00 denarë për subjekt juridik.

“Dua të theksoj se me të gjitha masat, përveç atyre për Ciceronë dhe Artistë të estradës, secili subjekt juridik që do të aplikojë dhe të cilit do t’i aprovohen mjete, nëse më 31 dhjetor është ulur numri i të punësuarve krahasuar me fillimin e vitit atëherë është i obliguar të kthejë 50% të mbështetjes së pranuar financiare, nëse në periudhën e njëjtë e ka ruajtur numrin e njëjtë e të punësuarve do të jetë i obliguar të kthejë 20% të vlerës së përgjithshme të mbështetjes financiare dhe nëse në periudhën e njëjtë ka rritur numrin e të punësuarve atëherë nuk do të jetë i obliguar t’i kthejë mjetet në Buxhetin e RMV-së”, tha Bekteshi.
 
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zekiri tha se në kuadër të të gjashtë pakove të përgatitura deri më tani për të zbutur pasojat, janë miratuar rreth 100 masa të ndryshme, me  të cilat janë të përfshira dhe të mbështetura subjektet dhe personat fizik të  prekur nga pandemia.

“Të gjitha pakot e masave anti-krizë për mbështetjen e ekonomisë në fokusin e tyre i kanë qytetarët, vendet e tyre të punës, sigurinë sociale, solidaritetin, krijimin e ambientit për tejkalimin më të lehtë të pasojave ekonomike nga virusi-korona dhe zbatimin e strategjisë për dalje të shpejt me qëllim që të vazhdojmë me trende pozitive që të përgatitur të presim periudhën  post-kovid. Krijimi i masave për  të gjitha pakot është bërë në mënyrë transparente dhe në proces gjithëpërfshirës në të cilën morën pjesë odat ekonomike, organizatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve me qëllim që të përfshihen numër i madh i qytetarëve të goditur nga kriza”, tha Zekiri dhe potencoi se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ndërmori të gjitha aktivitetet për realizimin më të mirë të detyrimeve për të përgatitur, shpallur dhe zbatuar një pjesë të masave nga Pakoja e gjashtë.

“Me pakon e gjashtë për zbutjen e pasojave socio-ekonomike nga pandemia edhe njëherë në vepër treguam se shteti është partner i qytetarëve dhe i ekonomisë. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, punëdhënësve dhe ushtruesve të veprimtarive të pavarura, si dhe të gjithë të tjerëve të cilët janë përfshirë në këto masa, të aplikojnë dhe të fitojnë të drejtën e shfrytëzimit të masave, ndërsa Sekretariati i  Përgjithshëm i Qeverisë do të sigurojë të gjitha kushtet për proces transparent dhe efikas për realizimin më të mirë të masave”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë.