Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbajti fjalim në ngjarjen e mbajtur me rastin e 25 vjetorit të hapjes së zyrës së Fondacionit Fridrih Ebert në vendin tonë.
Në vazhdim të kësaj kumtese ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Zaev në tërësi.
“Faleminderit për ftesën për të qenë pjesë e shënimit të tregimit të suksesshëm të Fondacionit Fridrih Ebert në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Njëkohësisht dua të shpreh mirënjohjen time si Kryeministër, dhe mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të njerëzve të vendit tonë, për gjithçka që fondacioni ka dhënë në 25 vitet e kaluara si kontribut i tij në zhvillimin e vlerave demokratike në shoqërinë tonë.
Pranova të marr pjesë në këtë ceremoni si një shprehje e detyrimit tim si fitues i çmimit të Fondacionit të krijuar me iniciativën e shumë të respektuarve Karl dhe Ida Fejst.
Frymëzimi i tyre për çmimin për mbështetjen e të drejtave të punonjësve dhe filozofia e tyre e jetës përkon me filozofinë time personale - jetë për të gjithë, barazi për të gjithë, dialogu mbi të gjitha, konflikt asnjëherë!
Unë i dhurova paratë nga çmimi fondit shtetëror për luftën kundër KOVID-19 në emër të solidaritetit me të gjithë ata që u prekën ose që marrin pjesë në ballafaqimin e pandemisë.
Solidariteti është një vlerë tjetër që e ruan dhe afirmon Fondacioni Fridrih Ebert, së bashku me vlerat e tjera të demokracisë sociale: liri, drejtësi dhe dialog.
Këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut feston 30 vjet të pavarësisë së saj, ndërsa Fondacioni Fridrih Ebert mbush25 vjeç, me programet e tij merr pjesë në përfshirjen e këtyre vlerave në shoqërinë tonë.
Si pjesë e mbështetjes së përgjithshme të Republikës Federale të Gjermanisë, Fondacioni Fridrih filloi punën e tij në vitin 1996 për mbështetjen e procesit të transformimit të vendit në fushat e pjesëmarrjes civile dhe aktivizmit, dialogut social, aderimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor.
Programet për dialog, forum të hapur publik në Maqedoninë e Veriut kontribuojnë në cilësinë e analizës dhe diskutimit politik në fushat e politikës, dialogut social, arsimit dhe çështjeve gjinore.
Nga ana tjetër, mbështetja e Fondacionit për të lidhur aktorët kyç dhe palët e interesit në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme në disa raste në aktivitetin tonë politik të fundit.
Më lejoni edhe njëherë t’ua uroj jubilenë – 25 vite punë e Fondacionit Fridrih Ebert në Maqedoninë e Veriut dhe t’ju uroj edhe shumë vite punë të suksesshme”.