Gjatë 17 korrikut të vitit 2021, në orët e vona të mbrëmjes, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me sukses e përfundoi procesin e riatdhesimit të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Siria dhe Iraku për 4 burra – luftëtarë të huaj terroristë, 5 gra dhe 14 fëmijë. Procesi u zbatua me ndihmën e Ambasadës amerikane në Shkup, bazuar në detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë, pas provave të siguruar nga Ministria e Brendshme - Byroja e Sigurisë Publike dhe në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, janë paraqitur padi penale kompetente në përputhje me legjislaturën nacionale. Për shkak të mosqasjes së tyre për organet e ndjekjes, për njëjtët ishin shpallur fletarreste ndërkombëtare, ndërsa në mungesë të tyre, është përcaktuar masë e paraburgimit, me vendim të gjykatësit kompetent.
Gratë dhe fëmijët e riatdhesuar fillimisht sipas vullnetit të tyre do të qëndrojnë në karantinë 14 ditore për kontrollet mjekësore të domosdoshme. Më pas shërbimet kompetente do të punojnë për sigurimin e dëshmive për veprime të mundshme kriminale, për çdo rast në veçanti. Në rast se nuk kanë bërë vepra të dënueshme, duke respektuar plotësisht vullnetin e tyre, do të nisë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit në shoqëri.
Të gjitha masat dhe aktivitetet që ndërmerren nga ana e institucioneve bazohen në detyrimet nga Plani nacional dhe procedurat për riintegrim, risocializim dhe rehabilitim të luftëtarëve të kthyer nga ushtritë e huaja dhe anëtarët e tyre të familjes, të miratuara nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për koordinimin dhe rehabilitimin e riatdhesimit nga ana Zyrës së Koordinatorit nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit.
Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtarët e NATO-s dhe Koalicionit global për luftë kundër ISIS, në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik SHBA-të, mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve më të larta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, me qëllim të sigurimit të stabilitetit dhe prosperitetit në nivel më të lartë të qytetarëve të vendit tonë dhe më gjerë në rajon.