Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 101-të të Qeverisë.
Ata kumtuan se prej më një shtator mësimi fillon me prezencë fizike në të gjitha shkollat dhe theksuan se mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin mental dhe për mbajtjen e nivelit të cilësisë së mësimit dhe socializmin e nxënësve është që ata të jenë në klasë dhe ajo do të realizohet këtë vit mësimor.
“Hapja e shkollave është rekomandim edhe i UNICEF-it. Janë përgatitur protokollet e nevojshme për mbrojtje. Shkollat gjithashtu. Përvoja nga viti i kaluar me mbajtjen e mësimit të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e tretë tregoi se shkollat kanë kapacitet ta zbatojnë procesin arsimor edhe në këto kushte dhe nuk ka dyshim se do të jetë kështu edhe këtë vit”, u theksua në konferencën për shtyp.
Zëdhënësit informuan se në mbledhjen e fundit Qeveria miratoi ndryshime dhe plotësime të masave për parandalimin e përhapjes së KOVID-19. Me këto ndryshime lejohet organizimi i ngjarjeve sportive me pjesëmarrje të publikut, ngjarje kulturore, puna e restoranteve, kafeneve, bastoreve, koncerteve, seminareve, punëtorive dhe ngjarje të tjera në hapësira të mbyllura me 30% të kapacitetit të hapësirës, ndërsa në hapësirë të hapur deri në 50% të kapacitetit, me respektimin e protokolleve dhe masave për mbrojtje nga KOVID-19.
Të gjitha masat e tjera të miratuara në mbledhjen e 99-të të Qeverisë mbesin në fuqi.
Në këtë mbledhje Qeveria e shqyrtoi Raportin e NP “Pyjet Nacionale” për dëmet nga zjarret përfshirë deri 15 gusht dhe në të konstatohet se gjithsej 9.907 hektarë janë përfshirë me zjarret, 8.803 hektarë bien në hapësira me pyje ose kanë përfunduar në pyje, gjatë së cilës janë djegur 442.074 metra kub masë e drurit.
Qeveria e detyroi NP Pyjet Nacionale të sjell program për pyllëzimin me plan për aktivitete gjatë kësaj vjeshte.
Në mënyrë plotësuese, Qeveria e detyroi NP “Pyjet Nacionale” që e gjithë sasia e masës së drunjëve të djegur si pasojë e zjarreve të mbetet në pronësi dhe të menaxhohet plotësisht nga NP “Pyjet Nacionale”.