Në mbledhjen tematike kushtuar shënimit të arritjeve të Qeverisë dhe ministrive në 100 ditët e para të punës, Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se në kushte të krizës shëndetësore, politikat cilësore shëndetësore janë prioritet i lartë. Ai nënvizoi se në interes të qytetarëve tendenca themelore është që të sigurohen gjithnjë e më shumë barna pa pagesë dhe se është arritur ulje e çmimeve të barnave të caktuara përmes negociatave të suksesshme me kompanitë farmaceutike.
“Bëhet fjalë për rreth 230 barna që përdoren si në nivelin parësor ashtu edhe në kushte spitalore. Lista e vjetër pozitive si dhe barnat që në periudhën e kaluar bliheshin me buxhet të veçantë, do të bëhen pjesë e listës së re pozitive, me qëllim të përmirësimit të trajtimit të pacientëve me sëmundje malinje dhe zgjidhjes sistemore të qasjes në terapinë e re inovative, e cila mund të shpëtojë shumë jetë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Ai informoi se në Institutin e Radiologjisë këto ditë janë instaluar katër aparate të reja për tomografi kompjuterike dhe rezonancë magnetike, të cilat mundësojnë qasje më të shpejtë të pacientëve në shërbimet e nevojshme diagnostike, e me këtë edhe zbulim dhe trajtim më të shpejtë të sëmundjeve. Gjithashtu, përmes ueb platformës skrining.mk, gratë për herë të parë kanë mundësi në mënyrë elektronike të caktojnë kontroll në kuadër të skriningut të organizuar falas për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.
Në këtë mbledhje tematike, Kryeministri theksoi se vazhdon realizimi i investimeve kapitale në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore dhe intensivisht janë duke u realizuar fazat e ndërtimit të një numri të madh të akseve rrugore.
“Në muajt e kaluar janë përfunduar ose janë në faza të ndryshme të ndërtimit rrugë në gjatësi prej 200 km, me të cilat qytetarët shkurtojnë kohën e udhëtimit dhe lëvizin në akse të sigurta. Ky numër është një shtesë në 1000 km në të cilat kemi punuar në mënyrë aktive në vitet e kaluara për të lehtësuar dhe modernizuar transportin, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Investimet kapitale infrastrukturore, tha ai, ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik, sigurimin e produktivitetit dhe punësimit më të lartë, uljen e shpenzimeve të prodhimit dhe transportit për kompanitë dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në mbledhje, Kryeministri njoftoi se nuk ndalet as ndërtimi i banesave sociale, gjegjësisht se është shpallur thirrje publike për shpërndarjen e 70 banesave sociale në Gostivar. Kanë përfunduar ndërtesat sociale në Negotinë dhe Demir Kapi, ndërsa ka filluar ndërtimi i 36 banesave sociale në Pehçevë dhe 59 banesave sociale në Saraj.