Kryeministri Dimitar Kovaçevski vizitoi kompaninë e Velesit nga industria përpunuese e metaleve, “Brako” e cila fillon cilkin e ri investues në vlerë prej 10 milionë euro dhe bashkë me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Koordinim të Dikastereve Ekonomike dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi, si dhe me udhëheqësinë e kompanisë “Brako”, e theksuan rëndësinë e investimeve të reja në teknologjinë dhe burimet njerëzore për zhvillim ekonomik edhe në kushte të krizës më të madhe ekonomike në botë.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se fokusi i Qeverisë në kushte të krizës më të madhe botërore në historinë e re është orientuar drejt tri qëllimeve, zbutjes së pasojave të krizës, masave për zhvillim ekonomik në afat të mesëm dhe afatgjatë, si dhe realizimin e investimeve kapitale.
“Të gjitha këto synime, bashkë me punën e përkushtuar të Qeverisë, odave, sindikatave, publikut profesional, si dhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, çojnë drejt zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Gjatë vizitës së kompanisë “Brako” patëm mundësinë të shohim procesin e prodhimit, si dhe investimet e reja me vlerë të përgjithshme rreth 10 milionë euro. Bëhet fjalë për një sallë të re prodhimi e destinuar për produkte teli, termocentral fotovoltaik për nevojat e fabrikës, si dhe për ndërtimin e impiantit të ri prodhues dhe ndërtesës së re të zyrave të kompanisë. Këto investime janë shumë të rëndësishme dhe vlera e tyre është edhe më e madhe duke marrë parasysh atë që ndodh në këtë kohë krize të madhe ekonomike energjetike. Investimet e reja në mënyrë shtesë nënkuptojnë edhe rritje të numrit të vendeve të punës, si dhe modernizim të mëtejshëm të kapaciteteve prodhuese. Prej mbi 1.000 punonjës në “Brako”, 150 janë inxhinierë, ndërsa pjesa tjetër janë me profile të ndryshme arsimore. Duke pasur parasysh këtë, paga neto mesatare mujore në fabrikë është mbi 30.000 denarë”, tha Kovaçevski dhe shtoi se investimi në kapital njerëzor te punëtorët është mbështetje e fuqishme nga Qeveria dhe për këtë arsye që nga fillimi është realizuar rritje e pagës minimale prej 18.000 denarë, ndërsa paralelisht sipas statistikave rritet edhe paga mesatare dhe e njëjta është gati 30.000 denarë, që si qëllim Qeveria premtoi dhe realizoi.
Kryetari i Këshillit Drejtues të “Brakos”, Koço Angjushev në fjalimin e tij theksoi se investimet e reja nënkuptojnë rritje të produktivitetit dhe konkurrencës.
“Sot shënojmë fillimin e impiantit të re të prodhimit për prodhimin e telit të galvanizuar sipas standardeve më të larta botërore.
Investojmë në teknologjinë bashkëkohore e cila do të na sigurojë prodhim të përgjithshëm të garantuar të produkteve të telit dhe telit të galvanizuar prej të paktën 3.000 ton në muaj sipas të gjitha standardeve ekologjike. “Brako” investon edhe në kapacitete të veta energjetike “të gjelbërta”, një termocentral fotovoltaik i cili pas përfundimit të ndërtimit do të ketë një kapacitet të instaluar prej 1.5 MW dhe do të plotësojë 40% të nevojave për energji elektrike të kapaciteteve të prodhimit, që e bën kompaninë tonë të pavarur dhe stabile edhe në kushte të krizës globale energjetike. Investojmë në një fabrikë të re për prodhimin e automjeteve të markës "Green Machines", ku do të prodhojmë GM720ze dhe GM955 të reja, të zhvilluara plotësisht, nga koncepti në produkt të përfunduar nga ekipi inxhinierëve i "Green Machines" këtu në fabrikën tonë”, tha Angjushev.
Kompania “BRAKO” ka përfaqësi të hapura në Serbinë fqinje, Holandë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të. Bëhet fjalë për markë ndërkombëtare që është aktive dhe konkurruese në shumë fusha, duke krijuar produkte me vlerë të lartë të shtuar, si shtretër mjekësorë dhe pajisje të tjera, më pas pajisje për vinç transportues, pajisje aeroporti, pajisje për hidrocentrale të vogla, si dhe mjete për pastrimin e mjediseve urbane. Në këtë manifestim morën pjesë edhe anëtarë të Odës Ekonomike, vetëqeverisjes lokale, media.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe anëtarë të Odës Ekonomike, vetëqeverisjes lokale, mediat.