Kovaçevski për “Politika”: Rajoni bashkë do ta tejkalojë dimrin që mos të mungojë ushqimi dhe energjia

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për gazetën serbe “Politika”, theksoi se në kuadër të Ballkanit të Hapur tanimë po ndërmerren iniciativa për krizën ekonomike dhe energjetike, si pasojë e Kovid dhe agresionit ushtarak mbi Ukrainën.

“Ne tanimë për këto tema kemi biseduar intensivisht në Samitin e kaluar, ndërsa muajin e kaluar në Tiranë patën takim edhe grupet e punës të qeverive tona. Në Samitin që do të mbahet këtu në Beograd, ne si Qeveri, por edhe ministritë dikasteriale do të kenë bisedime intensive për gjetjen e mënyrave konkrete për të siguruar ushqim dhe energji të mjaftueshme për të mbijetuar dimrin më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vëmendje e veçantë do të kushtohet që rajoni në çdo kohë të sigurojë ushqim dhe energji dhe të sigurojë rrjedhë të pandërprerë në furnizimin me produkte ushqimore bazë, gjegjësisht të reagohet shpejt dhe në mënyrë të duhur nëse ndodh ndonjë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit.

Në mekanizmat e deritanishëm dhe memorandumet e nënshkruara të bashkëpunimit, ne praktikisht jemi angazhuar që të ndihmojmë njëri-tjetrin në periudhën e ardhshme, që pritet të jetë seriozisht e vështirë. Por kjo sigurisht nuk është  kategori e panjohur. Ne e ndihmuam njëri-tjetrin edhe në kushte të pandemisë kovid.  Si përfundim, do të punojmë intensivisht që të mos mungojnë ushqimet dhe energjia, por realiteti i ri gjeopolitik kërkon kujdes. Do të kemi një dimër plot sfida. Por si më parë, si fqinjë të mirë, do të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se bashkërisht duhet të ndërtojmë ekonomi rajonale të fortë dhe konkurruese.

“Largimi dhe emigrimi i vazhdueshëm, kryesisht për arsye ekonomike, është me të vërtetë  temë që është në fokus, por me iniciativa të tilla po punojmë që qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vend, në rajoni. Me Ballkanin e Hapur dhe të gjitha aktivitetet që rrjedhin prej tij, ne jemi një hap më afër pagave evropiane, cilësisë evropiane të jetës, ekonomisë së gjallë dhe sundimit të së drejtë, tani, këtu, në vend," tha Kovaçevski.