Në kuadër të Panairit të parë ndërkombëtar për verë, ushqim dhe turizëm “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur”, i cili mbahet në Beograd për katër ditët e ardhshme nën patronazhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Serbisë dhe Republika e Shqipërisë, kompanitë maqedonase të ushqimit dhe verërave do të prezantojnë produktet dhe traditat e tyre.
Kryeministri Kovaçevski në hapjen zyrtare të Panairit vizitoi stendat e prodhuesve maqedonas të verërave dhe ushqimeve, ku kompanitë e informuan për produktet e tyre, teknologjitë e prodhimit, gjendjen me plasmanin dhe eksportin. Kompanitë theksuan se ky Panair do t'u mundësojë zgjerimin e bashkëpunimit afarist, plasmanin dhe eksportin më të madh të produkteve, gjë që do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në ekonominë e përgjithshme.
Maqedonia e Veriut është e përfaqësuar në Panair me gjithsej 42 kantina dhe 3 distileri, të cilat gjatë Panairit do t'u prezantojnë vizitorëve më shumë se 300 lloje të ndryshme të verërave dhe rakive maqedonase. Kryeministri Kovaçevski vizitoi stendat e kantinave maqedonase, si dhe stendat e kantinave të vogla familjare që prezantuan verërat e tyre në Panair.
Panairi “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur”, përveç promovimit të ushqimit dhe verës, është një mundësi për të promovuar thesaret nacionale dhe destinacionet turistike të Maqedonisë së Veriut të prezantuara përmes një stende të veçantë të Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Vëmendje e veçantë i kushtohet turizmit maqedonas të bazuar në verë dhe ushqim, parqet nacionale, liqenet natyrore dhe artificiale, zonat e mbrojtura nga UNESKO, turizmin rural dhe turizmin adrenalin.
Kryeministri Kovaçevski, së bashku me presidentin Vuçiq, Kryeministrin Rama dhe delegacionet shtetërore të tre vendeve, kanë vizituar stendën e përbashkët të Agjencive për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, ku përveç destinacioneve tona turistike, vizitorët kanë mundësi për të parë disa nga bizhuteritë tradicionale maqedonase të punuara me perla dhe filigranë.