Delegacion qeveritar i udhëhequr nga Kryeministri Kovaçevski në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 77-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh,
Në takim Kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e KB-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se bashkëpunimi do të vazhdojë me intensitet të shtuar, veçanërisht në zbatimin e synimeve të reja strategjike për zhvillim të qëndrueshëm për periudhën e viteve 2021 -2025.
Kryeministri theksoi se angazhimi i KB-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të vendit në sektorët kyç dhe për avancimin e reformave. Ai shfaqi shpresën se bashkëpunimi me KB-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të ofruar mbështetje për qëllimet tona zhvillimore në kuadër të aspiratave tona për integrim evropian.
“Reformat në fushën e qeverisjes së mirë, lufta kundër korrupsionit, reformat në sistemin gjyqësor, si dhe forcimi i kohezionit social, do të jenë prioritetet e vendit. Qëllimi përfundimtar i Qeverisë është të sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën e qytetarëve, të përmirësojë legjislacionin, të forcojë kapacitetet dhe efikasitetin e institucioneve”, theksoi Kryeministri.
Takimi konfirmoi angazhimin tonë të fortë për forcimin e rolit të KB-së në trajtimin e sfidave globale si agresioni rus kundër Ukrainës, ndryshimet klimatike dhe mungesat e ushqimit. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, siç u theksua, është plotësisht e përkushtuar për zbatimin e Agjendës 2030, e cila ka të bëjë me qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm të KB-së dhe integrimin e saj në dokumentet dhe planet strategjike nacionale.
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm Guteresh, kryeministri Kovaçevski shprehu interesim edhe për pjesëmarrje të shtuar të vendit tonë në operacionet paqësore të Kombeve të Bashkuara. Republika e Maqedonisë së Veriut, theksoi Kovaçevski, është partner aktiv i koalicioneve ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit.
Dëshmi shtesë e angazhimit tonë në drejtim të konsolidimit të paqes dhe stabilitetit, shtoi kryeministri, është kryesia jonë e ardhshme me OSBE-në vitin e ardhshëm, për të cilën po përgatitemi intensivisht në një kohë paqëndrueshmërie të madhe të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës. Kovaçevski me këtë rast theksoi se si kryesues i OSBE-së do t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset dhe mekanizmat e kësaj organizate, me qëllim të uljes së tensioneve dhe vendosjes së kanaleve të komunikimit dhe dialogut kritik.
Në takim u diskutua për Marrëveshjen e Prespës si shembull që pati një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në zhvillimin bilateral dhe rajonal të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, dhe zbatimi i së cilës u vlerësua gjerësisht si akt historik.
Kovaçevski shprehu gjithashtu kënaqësi të madhe për fillimin e mëparshëm të procesit të skriningut në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, duke konfirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm në proceset reformuese në rrugën drejt familjes evropiane.