Mbahet diskutimi publik në lidhje me Ligjin e të Punësuarve në Sektorin Publik dhe Ligjin e Nëpunësve Administrativë

Si rezultat i ndryshimeve dhe plotësimeve të fundit të Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjit për Nëpunësit Administrativë, Projekt-versionet e të cilëve janë publikuar në Regjistrin Unik Nacional Elektronik (ENER) në shtator të këtij viti, sot e realizuam Diskutimin Publik në lidhje me këto dy ligje.

Diskutimi publik rezultoi me një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve, në mesin e të cilëve kishte përfaqësues të institucioneve të ndryshme, të organizatave ndërkombëtare, të sektorit civil, të akademive dhe të sindikatave.

,„Ndryshimet e kryera në këto dy ligje i referohen tejkalimit të problemeve në këndvështrim të praktikave të deritanishme, thjeshtësimit të procedurave dhe ofrimit të zgjidhjeve më të mira të mundshme mbi depolitizimin e administratës publike, sigurimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe procedurës meritore të punësimit, mbi krijimin e një mekanizmi të tërë për evaluimin e të punësuarve. Ne, në MSHIA jemi të entuziazmuar që pas një pune disavjeçare në bashkëpunim me SIGMA-në, me Komisionin Evropian, si dhe me përfaqësuesit e institucioneve, të organizatave, të sindikatave dhe të opozitës, arritëm të ofrojmë zgjidhje ligjore në përmbushjen e këtyre qëllimeve, të cilat paraqesin faktor vital në ngritjen e profesionalizimit të administratës dhe transparencës së institucioneve publike, dhe njëkohësisht në kushtin thelbësor që i hap rrugën integrimit në BE”, theksoi ministri Aliti.
Ky diskutim publik ngjalli shumë diskutime produktive mbi racionalitetin, vlefshmërinë, përparësitë dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të këtyre ligjeve, me ç’rast u argumentuan një sërë çështjesh të parashikuara me ndryshimet e këtyre ligjeve dhe u debatuan sfidat gjatë imeplementimit të tyre.

Ministri Aliti, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për hartimin dhe plotësimin e ligjeve, si dhe për diskutimet e frytshme, duke shprehur besimin se janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen përpjekje maksimale në lidhje me rregullimin e këtyre ligjeve thelbësore.