Ministri i angazhuar për diasporë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Xhemail Çupi, në vazhdën e takimeve intenzive, sot priti delegacionin e Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës i kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, deputeti, z. Haki Abazi.
Ministri Çupi shprehi kënaqësi për realizimin e kësaj vizite, në të cilën drejtpërdrejti u bisedua për rolin e diasporës dhe u këmbyen përvoja dhe ide për mënyrën dhe mundësitë e përafrimit të tyre me shtetin amë. Ai informoi të pranishmit për aktivitetet dhe obligimet që dalin nga Strategjia nacionale për bashkëpunim me diasporën 2019-2023. Informoi që së shpejti Kuvendi i RMV-së do të ratifikojë Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e diasporës mes dy shteteve, e cila marrëveshje edhe më tepër do të kontribuojë në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje.
Kryetari i Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Haki Abazi, shprehi gatishmëri për bashkpunim edhe më të frytshëm mes dy shteteve, sidomos në lëminë e bashkëpunimit në sferën e diasporës. Ai foli për rolin që diaspora e ka në ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor edhe atë gjuhësor, si element shumë i rëndësishëm edhe për thithjen e investimeve nga sipërmarës të suksesshëm.
Delegacioni nga Republika e Kosovës u informua për vizitën e punës së Ministrit të angazhuar për diasporë, z. Dr. Xhemail Çupi që do të realizohet në gjysmën e parë të muajit dhjetor, dhe për të cilën deputeti z. Abazi ftoi Ministrin z. Çupi për një takim me Komisionin parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës.