Kovaçevski: Zbatimi i reformës për administratë efikase dhe profesionale është një nga prioritetet

Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt seancë e Këshillit për reforma në administratës publike, e para prej kur Kryetar i Qeverisë është Dimitar Kovaçevski.

Në seancën ku morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, ekspertë, Kryeministri Kovaçevski shpalli përcaktim të qartë për një administratë publike efikase dhe profesionale, e cila është paraparë në Draft-tekstin e Strategjisë për reforma të administratës publike 2023-2030 dhe kërkoi punë proaktive menjëherë, për realizim efikas.

Në vazhdim fjalimi integral i Kryeministrit Kovaçevski:

“Ne kemi nisur bisedimet me Bashkimin Evropian - takimet dypalëshe të skriningut janë në vazhdim - me sa jam i informuar, takimi dypalësh për reformën e administratës publike u zhvillua javën e kaluar, më 6 dhjetor.

Reforma në administratën publike mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë, por tashmë po ngrihet si një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, me faktin se është një nga fushat kyçe të Klasterit Baza.

Siç e dini tashmë, shpreha pritshmërinë time që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e plotëfuqishme e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Dhe kjo është e realzueshme, nëse të gjithë tregojnë sjellje shtetërore në periudhën para nesh. Sigurisht që ka sfida politike përgjatë rrugës që duhet të zgjidhen dhe ne do t'i zgjidhim.

Por, kjo nuk do të thotë dhe nuk guxon të thotë që reformat mundet dhe duhet të presin.
 
Përkundrazi, ne duhet të zbatojmë reformën në administratën publike, jo vetëm si kusht për BE-në, por në radhë të parë për cilësinë e jetës së qytetarëve në vend, në shtetin tonë.

Të gjithë e kemi të qartë se ka akoma shumë për t’u punuar në këtë plan.

Administratë publike efikase është pritshmëri e qytetarëve. Këtë e kemi premtuar në Programin për punën e Qeverisë 2022-2024. Dhe bisedat, planet, propozimet, më në fund duhet të operacionalizohen në nivelin e zgjidhjeve funksionale, pra përpjekjet për përmirësime në këtë fushë, të fillojnë të japin rezultate të dukshme. Përderisa kjo nuk ndodh, mund të themi se është bërë shumë, por pakënaqësi do të ketë - si te qytetarët ashtu edhe te komuniteti i biznesit. Me këtë, presioni mbi ne si Qeveri do të mbetet që mund dhe duhet të bëhet më shumë punë, si dhe do të shihet si sfidë në harmonizimin e standardeve dhe parimeve të administrimit dhe qeverisjes së mirë nga praktikat e suksesshme evropiane.

I shikova gjetjet e Raportit për evaluim për Strategjinë 2018-2022 dhe është fakt që është punuar, por është gjithashtu fakt që nuk ka rezultate që do të përmirësonin perceptimin tek publiku se ka pasur përmirësime që kanë lehtësuar qasjen e tyre te institucionet ose efikasitetin në marrjen e shërbimeve.

Dhe kjo ka të bëjë me institucionet si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal.
Mentaliteti është diçka që nuk ndryshohet menjëherë.
Por, ajo që varet nga ne të gjithë – nga Qeveria, nga vetëqeverisja lokale dhe nga të tjerët, sipas Kushtetutës autoritetet e pavarura,pushteti ligjvënës dhe gjyqësori - ne duhet ta bëjmë këtë.

Pres, drejt realizimit të vizionit të administratës publike të depolitizuar, efikase dhe të përgjegjshme, e cila ofron shërbime cilësore dhe lehtësisht të qasshme për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, menjëherë, siç thuhet në Propozim- tekstin e Strategjisë për reformën e administratës publike. 2023-2030, për të kaluar në realizim.

Një administratë publike e reformuar, në përputhje me parimet dhe vlerat thelbësore për hapësirën administrative evropiane, e cila kontribuon në rritje të qëndrueshme ekonomike, sundim të ligjit, kohezion social dhe mirëqenie - është pritshmëri nga Republika e Maqedonisë së Veriut në periudha deri në të cilën shteti pritet të bëhet anëtar i plotfuqishëm, por dhe më tej.

Kjo është një domosdoshmëri, sepse ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe në punën e sektorit privat në vend – dhe nuk ka më hapësirë për “do të”.

Në këtë seancë kërkoj që me rastin e përcaktimit të prioriteteve në Strategjinë e Reformës së Administratës Publike 2023-2030, të ecim përpara dhe të krijojmë masa dhe aktivitete nga Plani i Veprimit për realizimin e tij, me pritshmëri të sakta, deri në çfarë afati, çfarë mund dhe çfarë duhet të realizohet, por edhe me projeksione për implikimet financiare. Vetëm kështu do të tregojmë se jemi të vendosur dhe seriozë në synimet tona për të pasur sukses në reformat.

Synimet prioritare duhet të jenë një administratë publike e depolitizuar dhe profesionale dhe, për rrjedhojë, vendos e një sistemi koherent pagash dhe institucione të riorganizuara e optimizuara, me integritet të forcuar. Kjo nënkupton finalizimin e propozimeve për zgjidhje ligjore, të cilat paraqesin bazë ligjore për të ecur përpara. Besoj se ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë do të fokusohet në to në daljen e tij.

Qytetarët duhet të kenë besim te administrata dhe te institucionet dhe të ndjejnë se ekzistojnë dhe punojnë për ta dhe për kërkesat e tyre. Njerëzit dhe komuniteti i biznesit paguajnë tatime, administrata financohet nga ato para në buxhet dhe qytetarët kanë të drejtë për shërbime efikase, ekonomike dhe mbi të gjitha të qasshme, gjë që e bën më të lehtë, jo më të vështirë funksionimin e tyre të përditshëm.

Në fushën e transformimit digjital, mund të shihet përparim, por është e rëndësishme që të mundësohet dhe përmirësohet hapësira që administrata të punojë në një mjedis me mundësi digjitale dhe të fuqizohet për t'i zbatuar ato, gjë që do të arrijë gjithashtu një cilësi më të lartë të shërbimeve.

Reformat ekzistojnë për të gjithë në shoqëri dhe për këtë është e rëndësishme që jo vetëm institucionet, por çdo individ dhe të gjithë aktorët në shoqëri të investojnë në suksesin e tyre.

Të gjitha dokumentet strategjike në këtë fushë janë pjesë e një tërësie, e cila është e suksesshme vetëm nëse e shohim kështu dhe nëse të gjithë së bashku kontribuojmë në realizimin e saj.

Strategjia e reformës së administratës publike është e lidhur ngushtë me Programin e reformës së menaxhimit të financave publike 2022-2025, Programin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe decentralizim 2021-2026, Planin për tritjen e përshpejtuar ekonomike 2022-2026, Strategjinë nacionale për parandalimin e korrupsionit dhe konflikti i interesave 2021-2025, me përcaktimet tona për Pushtet të hapur dhe Partneritet për Qeverisje të Hapur, pra është e qartë se sa procese të rëndësishme lidhen me ne dhe varen nga sa me sukses dhe sa efikasitet do të reformojmë administratën publike.
 
Përshëndes qasjen e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, për përfshirjen e palëve të prekura në zhvillimin e Strategjisë së re të reformës së administratës publike, veçanërisht që për herë të parë propozohet një dokument afatmesëm me vlefshmëri 8-vjeçare. Ndërsa si Qeveri dhe në Programin e Punës së Qeverisë 2022-2024 kemi premtuar se do të krijojmë politika përmes rritjes së transparencës, gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes dhe duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.

Është mirë të kemi parasysh se në procesin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, është veçanërisht e rëndësishme që të ketë një fuqizim të dukshëm të kapaciteteve administrative të organeve të administratës shtetërore dhe se për këtë është gjithashtu i nevojshëm transferimi i saktë i koncepteve ligjore nga legjislacioni evropian në gjuhën maqedonase, me qëllim të arritjes së efektit të njëjtë juridik dhe vlefshmëria e ligjit, që nga momenti i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Unë shoh që kjo është marrë parasysh në Strategji.

Në kuadër të këtij procesi kemi nevojë për potencial kuadrosh që mund t'i përgjigjet të gjitha detyrimeve të nevojshme dhe duhet t'i qasemi fuqizimit të burimeve njerëzore. E theksoj këtë çështje të kapaciteteve të personelit, sepse vetëm me qasje eksperte mund të krijojmë një administratë eksperte.

Këshilli i reformës në administratën publike synon të monitorojë arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë për administratën publike dhe dua të përsëris këtu edhe një herë se qasja ime ndaj punës bazohet në rezultate të matshme - dhe mbi këtë parim do të vazhdojmë të plotësohen.

Në këtë moment kur jemi duke finalizuar Strategjinë për reformë në administratën publike 2023-2030 me Planin e Veprimit, i cili duhet të miratohet nga Qeveria, nga i cili varet nëse  qytetarët dhe komunitetit i biznesit do të jenë të kënaqur nga institucionet që paguajnë dhe përparimi i rrugës eurointegrues - apeloj për përgjegjësi dhe përkushtim maksimal nga të gjithë.
 
Pres të shoh masa dhe rezultate precize, në afatet e përcaktuara.
 
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë strategjik shtetëror. Zhvillimi ekonomik i shtetit dhe cilësia e shërbimeve nga institucionet është nevoja jonë qytetare, me të cilën do ta jetojmë Evropën në shtëpi.

Funksionimi i sistemit shtetëror është pasqyrë e njerëzve dhe e institucioneve të një shteti.
Nuk ka synime të pamundura, ndaj le të punojmë të gjithë për të krijuar institucione efikase evropiane, me një profil të administratës evropiane dhe për të arritur rezultate të dukshme, të zbatueshme dhe të qëndrueshme, sipas standardeve evropiane, për të arritur një cilësi evropiane të jetës”.
Në seancën e Këshillit për reformë në administratën publike, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiqi, theksoi se reforma e administratës publike është pjesë e shqyrtimit dypalësh me BE-në, tashmë në Klaster Bazat e para të procesit të bisedimeve dhe bëri të ditur se në muajt në vijim nga vendi ynë pritet të përgatitet një Udhërrëfyes për reformën e administratës publike.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, i prezantoi raportet nga evoluimi i Strategjisë për reforma të administratës publike 2018-2022.

U hap edhe debat ekspertësh për sfidat dhe rekomandimet e renditura,  që Kryeministri Dimitar Kovaçevski i vlerësoi si kontribut për këtë reformë të rëndësishme për qytetarët e përparimit eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.