Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Dimovski: Qeveria i përkushtohet seriozisht digjitalizimit dhe përforcimit të kapaciteteve nacionale për ballafaqimin me sulmet e mundshme sajber

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, mr. Metodija Dimovski me ftesë të Akademisë së Parë Maqedonase Bankare - ABIT, në bashkëpunim me institucionin gjerman të arsimit të lartë, "Hajdelberg - Instituti për Menaxhment dhe Biznes", sot mbajti fjalim në hapjen e Konferencës me temën: "Siguria sajber dhe transformimi digjital në harmoni të balancuar: Dëshirë për apo realitet të arritshëm?”.

Para ekspertëve të pranishëm, kolegëve nga qeveritë fqinje, përfaqësuesve të biznesit dhe komunitetit akademik, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Dimovski theksoi se temat e sigurisë sajber dhe përballja me kërcënimet janë çështje që kanë rëndësi të lartë prioritare për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila i përkushtohet përforcimit të kapaciteteve nacionale për parandalimin dhe mbrojtjen nga sulmet sajber, duke zbatuar aktivitete për ngritjen e  vetëdijes nacionale të sigurisë sajber.

“Mu për këtë, në vitin 2018, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Strategjinë Nacionale për Sigurinë Sajber për periudhën 2018-2022, qëllimi i së cilës është krijimi i një hapësire të sigurt interneti për të gjithë ne”, tha Domovski i cili theksoi se Strategjia Nacionale është e orientuar drejt: krijimit të një qasjeje të integruar, multidisiplinare për sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë ndërmjet sektorëve të mbrojtjes dhe sigurisë, institucioneve të përfshira në luftën kundër krimit sajber, sektorit privat, qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe palëve të tjerë përkatës; forcimit të kuadrit institucional dhe ligjor në fushën e sigurisë sajber.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi Dimovski, në fillim të shtatorit të këtij viti, solli vendim për formimin e Këshillit Nacional për Transformimin Digjital të Shoqërisë, qëllimi kryesor i të cilit është planifikimi, koordinimi dhe realizimi i aktivitetet e nevojshme për digjitalizimin e proceseve si dhe ballafaqimi efikas me sfidat që ai i sjell.

Dimovski prezantoi se ndër detyrat e punës së Këshillit, me të cilat kryeson zëvendëskryetarja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, mes tjerash janë: planifikimi dhe propozimi i nismave dhe planeve operative për transformimin digjital të shoqërisë; propozimi i masave që do të avanconin transformimin digjital,  në përputhje me qëllimet e zhvillimit ekonomik në nivel makro dhe në përputhje me planet e reformës; vendosja e treguesve kyç për performancat e transformimit digjital në harmonizim me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë; dhënia e propozimeve për lehtësimin e procedurave të kompanive dhe investitorëve në transformimin digjital të fushave të ndryshme.

Në Këshill janë pjesë edhe anëtarë të tjerë të Qeverisë, së bashku me përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në odat ekonomike dhe komunitetit akademik.

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, në fjalimin e tij lidhur me transformimin digjital dhe sajber sigurinë, veçanërisht e theksoi rëndësinë e përshtatjes së ndryshimeve që i sjellin teknologjitë informative-komunikuese.

“Shfrytëzimi i këtyre teknologjive në vazhdimësi po rritet në vendin tonë, jo vetëm në atë privat, por edhe në sektorin publik dhe jep kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë, standardit jetësor dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë. Por, gjithmonë ekziston “por”...incidentet e fundit në pjesë të institucioneve në sektorin publik, si sulmet sajber komprometuese dhe incidentet në vendet fqinje, tregojnë se digjitalizimi ka edhe anët negative, gjegjësisht ekziston kërcënim i madh real për të gjithë. Në këtë kuptim, jo ​​më pak të rëndësishme janë sajber incidentet që prekin familjet dhe mund të sjellin humbje financiare, ndërprerje të punës, vjedhje të identitetit dhe stres psikologjik”, shtoi Dimovski. Ai theksoi se varësia e padyshimtë nga teknologjitë e reja dhe nevoja për qasje më të madhe të shërbimeve në sajber hapësirën është arsyeja që përdoruesit dhe institucionet të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e integritetit, autenticitetit dhe konfidencialitetit e të dhënave.

Në këtë kuptim, tha Dimovski, Qeveria është plotësisht e përkushtuar në përforcimin e kapaciteteve nacionale për ballafaqim me kërcënimet e mundshme sajber, zbulimin në kohë dhe veprimet e duhura duke fuqizuar sajber sigurinë.

Konferenca e sotme e organizuar në hotel “Park”, Shkup si pjesë e manifestimit “Bisedat para Vitit të Ri” dhe pjesë e aktiviteteve të Këshillit për Transformim Digjital në kuadër të Institutit Gjerman Heidelberg, u fokusua në temat e rolit të gruas në sajber sigurinë dhe digjitalizimi dhe roli i tyre në formimin e digjitalizimit gjithëpërfshirës.

Një pjesë e diskutimeve të sotme iu kushtuan digjitalizimit të qëndrueshëm në sistemin gjyqësor në vendin tonë, si dhe rëndësisë së transformimit digjital në arritjen e synimeve për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe shkëmbimit të përvojave evropiane për të mbështetur procesin e digjitalizimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.