Ministria e Punëve të Jashtme shënoi 27 Janarin - Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Ngjarja nisi me një minutë heshtje, në shenjë respekti për viktimat që pësuan vetëm pse ishin hebrenj.
Fjalë hyrëse pati Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ndër tjerash e theksoi rëndësinë e përkujtimit të Holokaustit, i cili nuk duhet të përsëritet kurrë, dhe nevojën për të mësuar leksione nga i njëjti.
“Hebrenjtë e paguan çmimin më të lartë të ideologjisë keqbërëse naziste. Sot i kujtojmë 6 milionë hebrenjtë, të cilët nuk i mbijetuan Holokaustit. Përballë viktimave të mëdha, hebrenjtë fituan! "Am Israel Hai" - ose në përkthim, "Jeton populli i Izraelit" dëgjohet sot në të gjitha pjesët e botës ku jetojnë hebrenjtë. Fitorja e tyre mbi të keqen e programuar dhe të zbatuar sistematikisht është edhe fitorja jonë, fitorja e mbarë njerëzimit. Ajo fitore është gjithashtu një paralajmërim: Asnjëherë, askujt dhe askund më! Prandaj, 27 Janari është një datë e gdhendur thellë në kujtesën tonë. Por jo vetëm të mbetet kujtim, por edhe të jetë emanet për të ardhmen”, tha Osmani.
Osmani theksoi se kujtimi, edukimi dhe zhvillimi i vlerave të vërteta njerëzore të respektit të ndërsjellë, respektit dhe tolerancës janë veçanërisht të rëndësishme për të parandaluar që kjo e keqe të mos përsëritet më kurrë, askund dhe ndaj askujt.
“Maqedonia e Veriut, krenare për shoqërinë e saj multietnike dhe multikulturore, ku çdo qytetar ndihet vetvetja, pavarësisht nga emri, prejardhja, gjuha apo feja e tij, e ruan dhe do ta ruajë kujtimin e Holokaustit, të 6 milionë hebrenjve të vrarë, duke përfshirë dhe 7144 bashkëqytetarë tanë, të cilët do t'i përmendim sërish në mënyrë të veçantë më 11 mars, në 80-vjetorin e dëbimit të tyre në Treblinka”, nënvizoi Ministri.
Fjalime përkatëse në ngjarje patën edhe ambasadorët, e SHBA-së, Angela Ageler, e Suedisë, Ami Larson Jane dhe e Izraelit, Simona Frankel, si dhe Kryetari i komunitetit hebre, Pepo Levi.
Në prani të ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tjerë të korrit diplomatik, përfaqësuesve të komunitetit hebre, institucioneve shtetërore dhe komunitetit akademik, përkujtimi i 27 janarit u mbyll me një ekspozitë të titulluar: "Për mua nuk ka zgjidhje tjetër", kontribut i Ambasadës suedeze në Shkup. Ekspozita është histori e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, i cili arriti t’ua shpëtojë jetën shumë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Hungarinë e atëhershme të okupuar.
Si vend anëtar i Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA), Maqedonia e Veriut kujton të gjitha viktimat e kësaj njolle të zezë të historisë së njerëzimit, me qëllim që e njëjta të mos harrohet dhe me shpresë se nuk do të përsëritet kurrë.