Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përgëzoi miratimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për ndërlidhje të skemave për identifikim elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në mbledhjen e djeshme parlamentare.
Me ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, të lidhura me nismën “Ballkani i Hapur”, më në fund bëhet realitet qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë të mund të punojnë në cilindo nga tre shtetet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa shpenzime administrative.
Lehtësim shtesë do të sigurohet edhe me marrëveshjet për njohje të diplomave dhe kualifikimeve profesionale.
Përfitimet e mëdha të këtyre marrëveshjeve janë se hiqen pengesat për punësim, ndërsa qytetarët do të mund të punojnë në të gjitha vendet me numër unik identifikimi, pa ndonjë procedurë shtesë.
Qytetarët do të mund të marrin numër identifikimi "Ballkani i Hapur" në portalin e tyre nacional për e-Qeveri ose në portalin e tyre nacional për identifikim elektronik.
Numri unik për identifikim është identifikim elektronik me të cilin ka qasje në shërbimet elektronike në vendin ku personi ka marrë numrin.
Me marrjen e konfirmimit për numrin e identifikimit “Ballkani i Hapur”, fitohet qasje e lirë në tregun e punës.
Numri për identifikim “Ballkani i Hapur” bëhet edhe bazë për marrjen e numrit unik amë për një të huaj, ndaj nuk ka më procedura për leje qëndrimi.
Me ratifikimin e marrëveshjeve forcohet konkurrenca në rajon, sepse kompanitë do të mund të llogarisin pa ndërprerje në fuqinë punëtore të tre vendeve, gjë që do të ndikojë edhe në konkurrencën e tregut të punës dhe rritjen e pagave.
Me këtë ndihmojmë kompanitë dhe odat ekonomike nga të tre shtetet, të cilat prisnin zbatim të shpejtë të kësaj mase me të cilën liberalizohet tregu rajonal i punës.
Bëhet fjalë për ndihmë dhe lehtësim të madh për kompanitë që kanë përfaqësitë e tyre në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri, me qëllim të hapjes më të lehtë të vendeve të punës dhe angazhimit më të lehtë të kuadrove të punës dhe për t’u siguruar atyre paga të mira dhe kushte të mira pune.
Bëhet fjalë për konkurrencën rajonale në tregun e punës, e cila sigurisht do të kontribuojë drejt rritjes së pagave.
Marrëveshjet e nismës “Ballkani i Hapur” u nënshkruan më 21 dhjetor 2021 në Tiranë nga përfaqësuesit e tre vendeve, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.