Kovacevski-Skug: Maqedonia e Veriut mbetet e fokusuar në qëllimin e saj strategjik, anëtarësimin në BE

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në SHBA, u takua me Ollof Skug, ambasador i Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara.

Në takimin ku mori pjesë Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, u diskutua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për dinamikën e zgjerimit të BE-së, e cila është në interes të vetë Unionit, sepse në këtë mënyrë vendet e Ballkanit Perëndimor fokusohen në reforma dhe kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin evropian.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se tani është momenti i duhur për të përshpejtuar integrimet në BE dhe se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar për përmbushjen e qëllimit të saj strategjik – anëtarësimin e plotë në BE, si dhe zbatimin e reformave në vend.

Skug theksoi mbështetjen në procese dhe u konstatua se tani është momenti i duhur për përshpejtimin e proceseve eurointegruese, veçanërisht për shkak të polarizimit të fuqishëm të botës në kushtet e trazirave gjeopolitike dhe ndikimeve nga palët e treta.