Kovaçevski - Sholc: Maqedonia e Veriut i përket BE-së, Gjermania është partneri ynë në rrugën evropiane

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, realizoi takim me kancelarin gjerman Olaf Sholc. Kryeministri shprehu mirënjohje për mikpritjen e përzemërt dhe mundësinë për të folur për qëndrimet e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane. Në takim u konstatua se dialogu i intensifikuar politik në nivelin më të lartë në vitet e fundit flet më së miri për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve.

Gjatë bisedës u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet partner konstruktiv i Aleancës në përgjigjen ndaj agresionit rus. Kovaçevski dhe Sholc konfirmuan angazhimet e tyre të përbashkëta si partnerë të besueshëm në NATO dhe mirëpritën bashkëpunimin ndërmjet shteteve si pjesë e OSBE-së. Maqedonia e Veriut vlerëson në nivel të lartë mbështetjen që mori nga Republika Federale e Gjermanisë për kryesimin maqedonas me OSBE-në këtë vit.

Kryeministri Kovaçevski dhe kancelari Sholc folën për rëndësinë e përkushtimit maksimal të Gjermanisë për përforcimin e perspektivës evropiane të rajonit tonë, e cila do të sigurojë stabilitet dhe zhvillim për Ballkanin Perëndimor.

Në takim u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Gjermania kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të lartë ekonomik dhe tradicionalisht ky vend është partneri i parë tregtar i Maqedonisë së Veriut, me një numër të madh të investimeve të drejtpërdrejta të kompanive gjermane në vend.

Pas takimit tet-a-tet, u mbajt takim dypalësh dhe darkë për të dy delegacionet, të udhëhequra nga Kovaçevski dhe Sholc. Në takimin dypalësh morën pjesë zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani nga Maqedonia e Veriut. Në takim u shpreh shpresë për integrim sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE dhe hapje sa më të shpejtë të kapitujve për vendin tonë.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi se i është mirënjohës popullit gjerman dhe Bundestagut për Rezolutën e miratuar, e cila është një hap konkret dhe shumë i rëndësishëm i iniciuar nga Gjermania dhe do të jetë me rëndësi kyçe në përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin negociues me BE-në.

Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jep inkurajim në hapat e mëtejshëm për t'iu afruar Unionit.