Trupi Koordinues për Analizë dhe Forcim të Legjislacionit në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot ka mbajtur mbledhje për shqyrtimin e mundësisë së forcimit të masave kufizuese në lidhje me listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Propozimi për ndryshime të Ligjit për masat kufizuese është iniciativë e zëvendëskryeministres së ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, për të mundësuar që sanksionet e vendosura nga ShBA-ja, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin dhe kërcënimet hibride, të mund të zbatohen në shtetin tonë dhe subjektet e përfshira t'i nënshtrohen sanksioneve në përputhje të legjislacionit të vendit.
Të pranishmit u pajtuan rreth nevojës së hartimit të një zgjidhjeje efektive me të cilën do të zgjerohet fusha e listës së sanksioneve dhe do të plotësohet ligji me një procedurë në bazë të së cilës, sanksionet e shqiptuara nga ShBA-të do të përpunohen në legjislacionin tonë.
Mbështetja e ShBA-ve, si aleate e dëshmuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është me rëndësi të madhe, si dhe përpjekjet e qeverisë amerikane për promovimin e paqes, stabilitetit dhe qeverisjes funksionale demokratike në rajon.
Trupi koordinues konstatoi se pas konsolidimit të vërejtjeve dhe propozimeve nga anëtarët që u diskutuan në seancën e sotme, propozimi për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese t’i dorëzohet Qeverisë dhe të shqyrtohet dhe miratohet në njërën nga mbledhjet vijuese.
Në takimin e sotëm të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Gërkovska morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Mbrojtjes dhe ministri Financave, drejtori i Agjencisë për Siguri Nacionale, drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës Financiare, drejtori i Drejtorisë Doganore dhe Policia Financiare, si dhe përfaqësues të ministrive për punë të brendshme dhe të drejtësisë.