Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot në seancë solemne e shënoi katër vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO.
Seancën në të cilën morën pjesë anëtarët e Qeverisë e kryesoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ndërsa fjalë morën ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq.
Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi: “Nesër shënojmë përvjetorin e katërt të anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në NATO. Për mua personalisht ky përvjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse kam nderin të drejtohem si Kryeministër i një shteti që nuk ëndërron më për këtë synim strategjik, por kontribuon në mënyrë aktive dhe është anëtar i vlerësuar i Aleancës më të fuqishme të mbrojtjes në botë.
Duke i parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha pikat e nxehta , vërtetohet korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na çuan drejt anëtarësimit të sotëm në NATO. Ne i shohim dhe i dëgjojmë tmerret në mbarë botën, por pa frikë për ne, sepse e dimë se NATO është garancia më e fortë e sigurisë. Ajo është dëshmi se çdo sakrificë e bërë - ia vlente!”
Në seancë u drejtua edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili theksoi: “Anëtarësimi ynë në Aleancë paraqet një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt, i cili ka një rëndësi të veçantë në këtë periudhë kur po përballemi me sfidat aktuale të sigurisë të shkaktuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.
Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm faktor stabilizues në rajon, por edhe një shtytje për vendet në fqinjësinë tonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të gatshme të qëndrojnë pas vlerave dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike”, tha Osmani, duke theksuar se nga një konsumatori i sigurisë, Maqedonia e Veriut shndërrohet në një vend që prodhon siguri, duke kontribuar në operacionet multinacionale të udhëhequra nga NATO-ja”.
Në seancën solemne foli edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila potencoi: “Përfitimi i parë kryesor është se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, asnjëherë më nuk do të bëhet fjalë nëse mund të kërcënohet sovraniteti ynë, integriteti dhe siguria e qytetarëve.
Për një vend që ka pak më shumë se 3 dekada pavarësi dhe ndodhet në Ballkan, anëtarësimi në NATO do të thotë një konfirmim i madh i pozicionit të tij ndërkombëtarë dhe një sukses i madh. Pra siguria vjen e para, pastaj kuptohet që siguria dhe stabiliteti garanton investime dhe një situatë më të mirë ekonomike në vend. Prandaj anëtarësimi në NATO ishte një synim strategjik i vendit që në momentin e parë të pavarësisë dhe duhet të jemi krenarë që e realizuam.
Prej 4 vitesh nuk jemi një temë në tavolinë si vend ballkanik që duhet ndihmuar, por jemi të barabartë me të gjitha vendet anëtare dhe vendosim bashkë. Maqedonia e Veriut, nga një vend që bashkësia ndërkombëtare ndihmoi për të ruajtur paqen, tani është një vend që kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë rajonale. Dhe nuk mund të bëhet fjalë për cenim të sigurisë sonë nga askush sepse në atë rast kemi një aleancë prej 32 shtetesh pas nesh.
Urime 4 vjetori i anëtarësimit në NATO. Morëm një angazhim të madh, një përgjegjësi të madhe dhe arritëm rezultat. Urime ky sukses i madh historik i brezit tonë”.
Fjalën e mori edhe zëvendëskryeministri i parë, Bojan Mariçiq, i cili në fjalën e tij u referua: “Dita e sotme, 4 vjet pasi u bëmë anëtare e NATO-s, më së miri i demanton në praktikë skepticizmin, rezervat dhe ngërçin prej para 5 viteve. Sot kemi mundësinë t’ia urojmë njëri tjetrit dhe të shënojmë dhe të krenohemi për Maqedoninë e Veriut, anëtare e NATO-s.
Sot ka rrethana që na tregojnë se kemi marrë vendimin e duhur, se kemi qenë në anën e duhur. Kemi një luftë në Ukrainë dhe jemi në vijën e sigurt të kufirit në Evropë. Kemi vende si Finlanda dhe Suedia që kanë qenë ushtarakisht neutrale për shekuj dhe që ndryshuan politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë të neutralitetit për t'u bërë anëtarë të NATO-s ku ne tanimë jemi anëtarë. Kemi një situatë në rajon ku 3/6 e vendeve të BP janë vende anëtare të NATO-s dhe ne jemi ndër ato 3. Së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Sot mund të na duket e dhuruar, por për këtë kemi luftuar fortë dhe me sakrifica të mëdha politike. Por kjo vetëm na kujton se vendimet e vështira janë vërtet të vlefshme si për qytetarët ashtu edhe për shtetin. Dhe se vendimet e vështira që duhet të marrim në lidhje me anëtarësimin në BE sigurisht që do të na kushtojnë neve politikanëve, por të jeni të sigurt që kur të festojmë përvjetorin e anëtarësimit në BE, qytetarët do të na jenë mirënjohës”.
Fjalim i Kryeministrit Talat Xhaferi në konferencën për shtyp
Të nderuar anëtarë të Qeverisë,
Nesër mbushet katër vjetori nga anëtarësimi jonë fuqiplotë në NATO. Për mua personalisht ky përvjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse kam nderin edhe të drejtohem si Kryeministër i një vendi që nuk e ëndërron më këtë synim strategjik, por kontribuon aktivisht dhe është një anëtar i vlerësuar i Aleancës më të fuqishme të mbrojtjes në botë.
Kuvendi ynë në vitin 1993, njëzëri e miratoi Rezolutën për aderimin në NATO, me çka filloi edhe rruga jonë drejt anëtarësimit. Nga viti 1993 deri në vitin 2020, ne kemi kaluar nëpër shumë periudha dhe vështirësi, dhe kemi kontribuar në mënyrë aktive në misionet e paqes. Megjithatë, transformimi ynë ku prej një pike të rendit të ditës së NATO-s u bëmë një anëtar që ka vendin e vet në tavolinën e vendimmarrjes, ka nisur në 2017.
Formalisht, më 25 dhjetor 2017, Kuvendi e miratoi Deklaratën për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësim në NATO. Politikisht, nisi me vendime të urta dhe të guximshme shtetërore të Qeverisë së atëhershme, me Marrëveshjen e Prespës, me reforma për të cilat punuan shumë dhe aktivisht të gjitha institucionet.
Puna dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në vend për të siguruar anëtarësimin në NATO u njoh edhe nga qytetarët. Ai unitet u bë mbipartiak, mbietnik dhe rezultoi me sukses për të cilin ne sot e festojmë këtë ditë këtu si një nga më të ndriturat në historinë tonë.
Besoj se të gjithë qytetarët janë krenarë me pamjen se si flamuri i Maqedonisë së Veriut valëvitet para selisë së NATO-s në Bruksel. Ajo fotografi është fotografia e historisë dhe e ardhmërisë në një vend. Dhe jam krenar që arritëm të shkruajmë një histori të tillë.
Sot, Maqedonia e Veriut është një anëtare e vlerësuar e Aleancës. Jo vetëm që jetojmë në stabilitet dhe siguri, por ne jemi faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Sot ne jemi NATO.
Një NATO e bashkuar dhe e fuqishme do të thotë siguri dhe stabilitet i fortë, vulë e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial dhe një Armatë e fuqishme dhe dinjitoze. Ne jemi pjesë e aleancës së demokracive më të zhvilluara në botë. Shtyllat e paqes botërore për mbi një miliard qytetarë që jetojnë në vlera të përbashkëta demokratike dhe besojnë në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Anëtarësimi nuk na sjell vetëm privilegje, por edhe detyrime. Detyrimet për tu forcuar, për të qenë më rezistues për të qenë më të fuqishëm dhe për tu përballuar me sfidat e mbrojtjes që sjellin tendencat dhe kërcënimet e sotme. Nuk e di nëse do ta quaja një detyrim nga anëtarësia, sepse kjo me siguri është edhe puna jonë e përditshme dhe pritje të cilën e kanë qytetarët prej nesh dhe për realizimin e së cilës punojmë me përkushtim.
Armata jonë, e cila është edhe krenaria jonë, me anëtarësimin në NATO përjeton një transformim. Ne moti nuk flasim më për uniformat e vjetra të Armatës, por për modernizimin e kapaciteteve tona. Sfidat i kemi zgjidhur dhe kapërcyer, me përshpejtim e ngrejmë Armatën në nivelin e aleatëve dhe ajo po mbahet krah për krah me lëvdata të larta.
Sot flasim për gatishmërinë luftarake, për politikën e mbrojtjes dhe të parandalimit, që nuk nënkupton vetëm pajisje dhe buxhet të ri, por edhe trajnim aktiv të pjesëtarëve të armatës. Aftësitë e Armatës trajtohen gjithmonë me prioritet, me çka përmbushet qëllimi i ekzistimit të saj.
Duke parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha pikat e nxehta të përflakura, vërtetohet korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na sollën deri në anëtarësimin e sotëm në NATO. Ne i shohim dhe i dëgjojmë tmerret në mbarë botën, por pa frikë për ne, sepse e dimë se NATO është garancia më e fortë e sigurisë. Është prova që çdo sakrificë e bërë - ia vlente!
Në dy vitet e fundit, Aleancës iu bashkuan Finlanda dhe Suedia, duke e bërë atë edhe më të madhe, më të fortë dhe më të bashkuar. Zhytja e Evropës në një krizë sigurie, ekonomike dhe energjetike me luftën në Ukrainë, ka rezultuar me një solidaritet akoma më të fuqishëm. Rusia donte një NATO më të vogël dhe të përçarë, a fitoi një NATO të zgjeruar dhe të bashkuar, me një vizion të qartë për aleancë.
Së fundi, do të doja të them shkurtimisht dy fjalë për të ardhmen. Për katër vitet e fundit, secila prej Qeverive ka dhënë kontributin e vet në pozicionimin tonë brenda Aleancës. Ne arritëm të zëmë vendin dhe rolin tonë mes aleatëve dhe të jemi një anëtar i respektuar, për shkak të përkushtimit dhe parimit tonë.
Prej këtu, buron detyrimi ynë për të vazhduar fuqishëm ecjen në rrugën e prioritetit më të rëndësishëm strategjik dhe të sigurisë, që është të punojmë drejt integrimit të plotë euroatlantik sa më të shpejtë, si të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe të rajonit. Për ne nuk ka alternativë dhe të ardhme tjetër, përveç asaj të demokracisë dhe progresit.
Faleminderit për vëmendjen!