Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë vizitës disaditore në SHBA sot mbajti një ligjëratë në Universitetin prestigjioz Jon Hopkins në Baltimor, ku krahas temave të rëndësishme për Maqedoninë, foli edhe për disa tema me interes për rajonin dhe më gjerë.
“Prioriteti më i madh i Qeverisë para së gjithash do të jetë forcimi i ekonomisë. Dhe kjo nuk mund të rritet, nëse nuk ka luftë të vendosur kundër krimit dhe korrupsionit. Ne duhet të ballafaqohemi me krimin dhe korrupsionin nëse duam të zhvillojmë shtetin tonë për brezin e ardhshëm. Ka një koalicion të madh ndërmjet politikanëve të caktuar, gjykatësve, prokurorëve dhe elitës së biznesit dhe ne duhet ta prishim atë koalicion, përndryshe do të dështojmë si të gjithë paraardhësit tanë dhe do të ishim humbës”, thekson Mickoski.
Kryetari i Qeverisë tha se tri investimet më të rëndësishme do të jenë investimet në energji, Interkonektori i gazit, si dhe investimet në infrastrukturë.
Kryeministri bëri të ditur se që në fillim ka filluar me idenë e shpërndarjes së këshillit gjyqësor dhe këshillit të prokurorëve publikë, për shkak se këto dy institucione kanë vetëm 2% besim te qytetarët.
“Kur ka një problem, duhet ta përballojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Ka ekspertë që janë kundër, por askush nuk jep zgjidhje se si të zgjidhet i njëjti. Tani kemi një status quo, por do të vazhdojmë luftën tonë, në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe shpresës, ato dy shtylla shkojnë bashkë, përndryshe do të dështonim”, tha Mickoski.
Ai e bëri të qartë se do të luftojë, do të luftojë për qëndrimet e tij, do të përballet me argumente me të gjithë ekspertët, sepse populli është i uritur për drejtësi.
Kryeministri Mickoski foli edhe për veton e Bullgarisë. Ai theksoi se duhet të diskutohet për marrëdhënie të mira fqinjësore, por ato duhet të jenë të dyanshme, qytetarët e Maqedonisë kanë sakrifikuar shumë për perspektivën evropiane dhe mjaft me përulje.
“Ne nuk jemi politikanë të mbushur me akuza për krim dhe korrupsion siç ka në rajon. Do të mbrojmë interesat tona, jemi të gatshëm të diskutojmë argumentet, t'i prezantojmë ato, të shohim se argumentet e kujt do të mbizotërojnë. Qytetarët maqedonas dhanë për perspektivën evropiane si askush deri më tani”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, Mickoski u ndal edhe në çështjet aktuale me Ukrainën.
“Sheti im është donator i madh për Ukrainën. Kuvendi votoi për mbështetje të madhe për Ukrainën. Ne jemi ndër 5 ofruesit më të mirë të ndihmës për kokë banori në botë”, tha Kryeministri Mickoski, duke theksuar se nuk jemi një vend aq i madh dhe i pasur, por kemi bërë të gjitha përpjekjet maksimale për të mbështetur Ukrainën dhe popullin ukrainas.