“Në veprim të koordinuar me NP Hekurudhat - infrastrukturë, ndërsa pas informacioneve të prezantuara në opinion, vendosëm tërheqjen e anëtarëve nga Komisioni për vlerësim të propozuar nga Ministria e Transportit dhe Hekurudha për thirrjen publike për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp zëvendëskryetari dhe ministrër i transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ministri theksoi se procedura dhe projekti tashmë janë të komprometuara dhe ky është i vetmi vendim korrekt për parandalimin e korrupsionit, për të cilin opinioni tashmë është në dijeni.
“Kjo është mënyra se si luftojmë kundër korrupsionit dhe krimit dhe ky është mesazh për të gjithë ata që duan të bëjnë ryshfet se kjo Qeveri nuk do të tolerojë diçka të tillë”, tha ministri Nikolloski.
Ai pret që në bashkëpunim me qeverinë e re të Bullgarisë, BE-në dhe bankat që e kreditojnë këtë projekt, të bëhet një projekt i ri i realizueshëm në terren.
“Nuk do të lejojmë që kompani joserioze të hyjnë dhe të marrin paradhënien ose një pjesë të mjeteve. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë si pjesë e Korridorit 8, por që ta bëjmë këtë duhet të kemi projekt që është i realizueshëm, që mund të zbatohet në terren, projekt i cili mund të përfundohet sa më shpejt dhe projekt për të cilin do të kemi marrëveshje me Bullgarinë, e jo projekt që do të përfundojë në tunel dhe nuk do të vazhdojë në anën tjetër. Për të njëjtën gjë biseduam me përfaqësuesit e BE-së, BERZH-it dhe BEI-së dhe pres që në bashkëpunim të përbashkët mes të gjitha këtyre institucioneve dhe qeverisë së Bullgarisë të krijojmë një projekt, projekt që do të nënkuptojë ndërtimin e një hekurudhe drejt Bullgarisë, sepse ky projekt që kemi nuk është real nuk është i zbatueshëm dhe nuk mund të përfundohet sepse edhe kjo ka të bëjë me një vepër ndërtimi ku duhet të ndërtohen 22 tunele dhe 55 ura në një aks prej 23 kilometrash, është shumë i shtrenjtë dhe në vlerë prej rreth 20 milionë euro për kilometër, ndërsa Bullgaria nuk e ka përfunduar punën e tyre sepse projekti përfundon në tunel dhe nuk të çon askund. Ne duam një projekt serioz, të realizueshëm në terren dhe garanci të qarta se Bullgaria synon ta ndërtojë hekurudhën”, tha zëvendëskryetari dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ai shtoi se nuk do të lejojë që gjysmë miliardë para të popullit të shpenzohen për projektin aktual, për të cilin ekziston mundësia të mos realizohet kurrë.