Zëvendëskryeministri Arben Fetai zhvilloi takim zyrtar me ministren Adea Pirdeni

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, zhvilloi një takim zyrtar me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin të Republikës së Shqipërisë, znj. Adea Pirdeni.

Gjatë takimit, znj. Pirdeni falënderoi Zëvendëskryeministrin Fetai për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe theksoi se ata të dy mbajnë portofolë të ngjashëm në qeveritë respektive. Diskutimet u përqendruan në temën e luftës kundër korrupsionit dhe reformën e administratës publike.

Znj. Pirdeni prezantoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria në këto fusha, duke theksuar si aspektet pozitive ashtu edhe sfidat e hasura gjatë zbatimit të tyre. Zëvendëskryeministri Fetai paraqiti prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe sdidat me të cilat përballet vendi në procesin e reformave, duke kërkuar thellimin e këmbimeve në mënyrë që të dyja vendet të përfitojnë nga mësimet e nxjerra dhe të  replikohen praktikat e suksesshme.

Në përfundim të takimit, Zëvendëskryeministri Fetai e ftoi ministren Pirdeni për një vizitë zyrtare në Shkup, për të vazhduar dialogun dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat e administratës publike dhe antikorrupsionit.