Mexhiti: Rusino do të bëhet deponi moderne sanitare për gjithë Pollogun

Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor z. Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sot vizitoi ndërmarrjen “Rusino-Pollog” në Gostivar, ku realizoi takim me drejtorin e kësaj ndërmarrje Sazan Horvati, ndërsa pas takimit, vizituan deponinë e Rusinos, që shërben 9 komuna të Pollogut, me 184 vendbanime dhe 322 mijë banorë.
 
Mexhiti tha se qëllimi i vizitës është shqyrtimi i gjendjes aktuale të deponisë dhe të njofton për  projektin investues që Ministria e Mjedisit Jetësor planifikon të realizon në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm për ta kthyer këtë deponi në një qendër sanitare moderne që do të shërben gjithë Pollogun.
 
“Në kuadër të projektit, në periudhën aktuale për rajonin e Pollogut janë duke u zhvilluar procedura për ndërtimin e stacionit të transferit në Tetovë, i cili do të shërbejë si infrastrukturë ndihmëse për grumbullimin e mbeturinave, të cilat më pas do të transportohen në deponinë rajonale të Rusinos. Planifikohet blerja e pajisjeve speciale, pra maqineri të rënda, të destinuara për nevojat e deponisë, me qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe kapacitetit të menaxhimit të mbetjeve, si dhe projekti për mbikëqyrjen e aktiviteteve në terren, i cili do të sigurojë monitorim të vazhdueshëm të të gjitha aktiviteteve që kryhen jashtë", deklaroi zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Mexhiti.
 
Mexhiti informoi se aktualisht janë duke u zhvilluar aktivitete për përzgjedhjen e kompanive që do ta realizojnë projektin dhe pritet që zbatimi në terren të fillojë më së voni deri në qershor të vitit 2025.
 
Projekti rajonal për mbetjet e ngurta në rajonin e Pollogut financohet nëpërmjet një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një grant nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SECO) dhe donatorë të tjerë, ndërsa qendra e re sanitare që do të ndërtohet tek deponia ekzistuese Rusino do të funksionojë sipas standardeve nacionale dhe të BE-së.