Fillkov: Rritja e gjobave për drejtuesit e mjeteve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion

Ministria e Drejtësisë konsideron se ka nevojë serioze për rishikim dhe analizë të mëtejshme të legjislacionit ekzistues. Jemi të fokusuar në përcaktimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të mundshme në ligje, të cilat do të kontribuojnë për forcimin e ndjeshëm të sigurisë rrugore.
 
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, në fjalën e tij në shqyrtimin publik “Analiza dhe përcaktimi i nevojës për ndryshimin e rregullativës ligjore me qëllim të forcimit të sigurisë në komunikacion”, theksoi se është e nevojshme të përmirësohen dispozitat ndëshkuese për kundërvajtësit, të mbështetura me një analizë të hollësishme të praktikës së shqiptimit dhe zbatimit të dënimeve.
 
“Gjatë përgatitjes së ndryshimeve të rregullores ligjore, veçanërisht në pjesën e sanksioneve, është e nevojshme të shtrohet pyetja: “A janë dënimet për shkelësit e rregullave të komunikacionit përkatëse dhe mjaftueshëm rigoroze për të pasur një efekt parandalues?”. Kjo do të na ndihmojë të identifikojmë se cilat fusha duhet të forcohen me masa të reja ligjore, siç janë alkooli, shpejtësia, përdorimi i celularit dhe faktorë të tjerë rreziku”, tha ministri Fillkov.
 
Gjithashtu, sipas ministrit, disa shkelje të komunikacionit duhet të rregullohen si vepra penale. Në këtë drejtim, është e nevojshme të iniciohen ndryshime ligjore që do të zgjerojnë listën e veprave penale kundër sigurisë në komunikacion. Kjo nuk vlen vetëm për veprat e rënda penale që paraqesin rrezik për jetën dhe pronën e njerëzve, por edhe për kundërvajtjet si mosdhënia e ndihmës një personi të lënduar në një aksident komunikacioni.
 
“Shpeshtimi i delikteve në komunikacion me shkallë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore, së bashku me nivelin e ulët të kulturës në komunikacion të shoqërisë sonë, krijojnë një nevojë të fortë për shtrëngimin e politikës ndëshkuese. Kjo do të sigurojë sanksione efektive për shkelësit, të cilat do të kenë një efekt parandalues dhe do të ndihmojnë në reduktimin e aksidenteve në komunikacion dhe pasojave të tyre të rënda”, tha Fillkov.
 
Ministri informoi se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjyqtarët e Njësisë për kundërvajtje në Gjykatën Penale në Shkup dhe profesorë universitarë, janë duke punuar në implementimin intensiv të ndryshimeve të reja ligjore në Ligjin për kundërvajtje dhe Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor.
 
Ndryshimet dhe plotësimet e reja në Ligjin për kundërvajtje, do të përfshijnë procedurë të veçantë për kundërvajtjet në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor, e cila ka të bëjë me kundërvajtjet që janë detektuar përmes sistemeve elektronike, siç është sistemi (qytet i sigurt).
 
Ky sistem do të mundësojë përcaktimin e shpejtë dhe të saktë të shkeljeve, me çka do të ulet numri i aksidenteve dhe do të sigurohet një reagim më i shpejtë nga autoritetet. Kjo risi parashikon afate të shkurtra për procedimin në gjykatë, të cilat do të përshpejtojnë procesin e drejtësisë.
 
Për shkelësit që do të paraqiten për herë të tretë në gjykatë dhe në rast shkeljeve të rënda, si drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit ose shpejtësisë së tepërt, gjykata do të shqiptojë sanksion që nënkupton heqjen e patentës së shoferit. Kjo do të thotë se shoferi nuk do të mund të marrë patentë shoferin e ri derisa të ketë kaluar një vit nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
 
Të gjitha ndryshimet kanë për qëllim dhe synojnë ta zvogëlojnë numrin e aksidenteve të komunikacionit, veçanërisht atyre që rezultojnë me fatalitet dhe për të mbrojtur jetën e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.