Jam i lumtur që familjet në këtë ndërtesë sociale do të gjejnë një shtëpi të ngrohtë dhe do të ndërtojnë një të ardhme të denjë, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër për Transport, Aleksandar Nikolloski, sot në Veles, gjatë ndarjes së banesave sociale.
Gjithsej 29 familje morën çelësat në ndërtesën sociale në Veles. Në ceremoninë e ndarjes morën pjesë edhe Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, drejtori i SHA për hapësira banimi dhe afariste, Marjan Stefanovski, kryetari i komunës Marko Kolev, si dhe deputetë.
Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se përveç ndërtimit të banesave sociale, prioritet mbetet edhe ndërtimi i ndërtesave komerciale, me qëllim të ndërhyrjes në tregun e pasurive të patundshme dhe uljes së çmimit për metër katror të banesave.
“Ju kujtohet se ishim këtu edhe në momentet kur ndërtohej kjo ndërtesë. Më vjen mirë që është përfunduar dhe që familjet që takuam sot do të mund të ndërtojnë një të ardhme më të denjë dhe të gjejnë një shtëpi të ngrohtë. Siç e përmendëm, do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme të punojmë për ndërtimin e objekteve të ngjashme në qytete të tjera, për të ndihmuar sa më shumë familje që mundemi. Gjithashtu, përmes ndërtimit të ndërtesave komerciale, do të përpiqemi të ndërhyjmë në çmimin për metër katror, i cili fatkeqësisht në disa qytete ka arritur shuma të larta që duhet të bien. Prandaj, në periudhën që vijon do të kemi shumë projekte të ngjashme që po vijnë”, deklaroi zëvendëskryeministri Nikoloski.
Ndërtesa në Veles përbëhet nga 29 njësi banimi dhe 29 hapësira bodrumi. Banesat janë ndërtuar sipas programit të Qeverisë për ndërtimin e objekteve për kategori të qytetarëve në rrezik social.
Drejtori i SHA për hapësira banimi dhe afariste theksoi se javën e ardhshme do të shpallet konkursi publik për shitjen e banesave në ndërtesën komerciale në Manastir, e cila po ndërtohet nga kjo shoqëri aksionare. Siç njoftoi zëvendëskryeministri Nikolloski, çmimi do të jetë një mijë euro për metër katror për banesat dhe dy mijë euro për metër katror për hapësirat afariste.