Të nderuara media,
Të nderuar të pranishëm,
Sot, shpallim thirrjen e dytë publike për mbështetje financiare për komunat për realizimin e projekteve infrastrukturore me një shumë totale për financim deri në 15 miliardë denarë.
Thirrja është shpallur në faqen e internetit të Qeverisë dhe të Ministrisë së Pushtetit Lokal, si dhe në mediat e shkruara ditore në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Komunat në qytetin e Shkupit kanë të drejtë të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit, infrastrukturës rrugore, si dhe nga fushat e politikës sociale dhe arsimit.
Komunat e interesuara duhet të dorëzojnë formularët e aplikimit në Ministrinë e Pushtetit Lokal, ndërsa dokumentacionin e projektit në ministritë përkatëse nga fusha e projektit, jo më vonë se 30 prilli 2025.
Shpërndarja e mjeteve do të bëhet duke u bazuar në dy kritere:
- Popullata rezidente në komunë sipas regjistrimit të fundit
- Dokumentacioni i plotë i projektit, me të gjitha lejet dhe miratimet e nevojshme për fillimin e procedurës për prokurimin publik, me llogaritje të rishikuar paraprakisht, jo më të vjetër se 12 muaj, për të garantuar realizimin e pa pengesa të projekteve.
Më lejoni shkurt të shpjegoj procedurën:
- Formularët e aplikimit dorëzohen në Ministrinë e Pushtetit Lokal, jo më vonë se 30.04.2025.
- Trupi koordinues qeveritar për ndjekjen e projekteve shpërndan aplikimet e dorëzuara në thirrjen publike tek ministritë përkatëse.
- Ministritë përkatëse bëjnë vlerësimin e dokumentacioneve të projekteve të mbërritura, sipas kritereve të përcaktuara dhe përgatitin dhe dorëzojnë raportin e vlerësimit në Ministrinë e Pushtetit Lokal.
- Ministria e Pushtetit Lokal, bazuar në raportet nga ministritë përkatëse, përgatit dhe dërgon një raport të përmbledhur për financimin e projekteve infrastrukturore të propozuara në Qeveri.
- Përdorimi i mjeteve financiare për projektet infrastrukturore të komunave do të bëhet në bazë të një vendimi të miratuar nga Qeveria, me propozim nga ministria përkatëse në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal.
Të nderuar,
Është tashmë e njohur se qëllimi i thirrjes publike është të ndahen mjete për projekte që do të kontribuojnë në përmirësimin e konsiderueshëm të infrastrukturës në komunat tona, me një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në rritjen ekonomike dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Me realizimin e këtyre projekteve, presim përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të qytetarëve tanë, rritje të aktivitetit ekonomik, si dhe përmirësim të kapaciteteve infrastrukturore të vetë komunave në të gjithë vendin.
Më lejoni të përmend disa nga projektet që morën mbështetje në thirrjen e parë:
- Ndërtimi i kopshtit të fëmijëve në Inxhikovë dhe sallës sportive në shkollën e mesme në Creshevë - Komuna e Gazi Babës,
- Rekonstruksioni i fazës së dytë të sallës sportive “Rabotnicki” - Komuna Qendër,
- Përmirësimi dhe mbrojtja e shtratit të lumit Sera - Komuna e Butelit,
- Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik në lagjen “Dizhonska” - Komuna e Çairit,
- Rekonstruksioni i Çarshisë së Vjetër - Komuna e Gjevgjelisë,
- Sanimi i hapësirës publike pas Q.T. “Kapitoll” - Komuna e Aerodromit.