Qeveria në mbledhjen e 66-të të mbajtur sot e miratoi konceptin e propozuar për organizimin e një qendre resursesh për mbështetjen e komunave.
Koncepti i propozuar për qendrën e resurseve do të sigurojë mbështetje serioze për forcimin e kapaciteteve në nivel lokal, gjë e cila do të çojë në nxitjen e zhvillimit më efikas lokal, ndërsa paralelisht me këtë do të sigurohet edhe bashkëpunim i përmirësuar mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
Komponenta e parë që përfshin ky koncept është Fondi për dokumentacion teknik (FDT) – ky është një instrument financiar / skemë grantesh për financimin e komunave dhe qendrave për zhvillim të rajoneve planore, për përgatitjen e dokumentacionit teknik gjithpërfshirës për projekte për zhvillimin e infrastrukturës, i pilotuar tashmë në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve” dhe po realizohet në partneritet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, UNDP dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim – SIDA. Komponenta e dytë është mbështetja dhe zhvillimi i kapaciteteve të administratës komunale – kjo komponentë do të realizohet përmes: trajnimeve, ndihmës profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes së bashkëpunimit ndërkomunal. Ndërsa komponenta e tretë është shqyrtimi i mundësive për financim në bazë projekti – platformë me të gjitha mundësitë për financim në bazë projektuese. Ndjekje dhe integrim i të gjitha thirrjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore për komunat si dhe thirrjeve të hapura për tërheqje të mjeteve donatore.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme u shqyrtua dhe u miratua edhe informacioni për ndarjen e kontratës shumëvjeçare për furnizimin publik të 120 autobusëve ekologjikë për transport urban dhe e obligoi Ministrinë e Transportit të nisë procedurën për furnizim publik. Shpërndarja do të bëhet në bazë të urgjencës, arsyeshmërisë ekonomike dhe nevojave reale të secilës njësi të vetëqeverisjes lokale.
Gjithashtu, si Qeveri vazhdojmë të realizojmë premtimin në pjesën e riorganizimit të institucioneve. Për këtë qëllim, në mbledhjen e sotme, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi informacionin për nevojën e riorganizimit të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe propozimin për bashkimin me Agjencinë për Mbështetjen e Sipërmarrësisë dhe e obligoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që brenda 10 ditëve të formojë grup pune me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria për Transformim Digjital, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Agjencia për Mbështetjen e Sipërmarrësisë dhe Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, i cili do të ketë për qëllim hartimin e një ligji të ri ose ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veprimtari Inovative me të cilin do të rregullohet riorganizimi i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.