Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Konferenca e sotme për shtyp ka të bëjë me raportin më të fundit që e kam pranuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe që lidhet me inspektimet dhe kontrollet e realizuara gjatë periudhës së kaluar. Si Qeveri jemi të përkushtuar të sigurojmë transparencë dhe saktësi të plotë përpara jush dhe opinionit dhe i ndjekim me kujdes të gjitha hapat institucionale që duhet të ndërmerren në përputhje me ligjin.
Inspektorati Shtetëror i Tregut, në periudhën nga 17.03 deri më 10.04.2025, ka kryer gjithsej 297 mbikqyrje për përmbushjen e kushteve minimale teknike dhe dispozitave të tjera të parapara sipas Ligjit për veprimtari të hotelierisë.
Mbikqyrje janë kryer në objektet hotelierike me veprimtari të regjistruar. Më lejoni këtu të përmend të gjitha llojet e objekteve që hyjnë në këtë kategori: diskoklub, diskoklub në ambient të hapur, klub nate, kabare, kafe-bar, taverna, restorant, restorant për dasma, bistro, hotel dhe subjekte të tjera.
Janë lëshuar gjithsej 360 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 3.436.000 denarësh.
Janë lëshuar gjithsej 28 vendime për ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë (të cilët kanë ushtruar veprimtari pa licencë ose pa i plotësuar kushtet minimale teknike) dhe 12 vendime për largimin e parregullsive për shkeljet e konstatuara në përputhje me Ligjin për veprimtari të hotelierisë.
Nga gjithsej 23 subjekte juridike me licencë aktive, tek 17 janë konstatuar parregullsi në pjesën e përmbushjes së kushteve minimale teknike. Në raportin e fundit që e kishim paraqitur për opinionin ishin 15, sot janë 17 dhe për të njëjtat është dorëzuar informacion në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës. Në ndërkohë, tek 7 nga këto objekte janë larguar këto parregullsi dhe me kërkesë të subjekteve juridike është kryer kontroll shtesë dhe janë hartuar procesverbale kontrolluese ku organet kompetente kanë konstatuar se subjektet juridike, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, i kanë larguar këto parregullsi. Edhe këto informacione janë dërguar në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës.
Subjektet e tjera juridike që nuk kanë licencë aktive apo që kanë dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës dhe aktualisht nuk ushtrojnë veprimtari janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe për to do të ndërmerren masa përkatëse në përputhje me ligjin.
Të nderuar,
Dua ta informoj opinionin se kontrolli është ende në vazhdim. Si Qeveri presim një raport të plotë dhe të detajuar nga të gjitha 9 sektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut që janë përgjegjës në territorin e Maqedonisë, për këto 297 kontrolle të subjekteve juridike, i cili pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme.
Me këtë dëshirojmë të sigurojmë qytetarët tanë se kjo nuk është një masë e vetme apo një angazhim afatshkurtër. Forcimi i përgjegjësisë institucionale dhe rikthimi i besimit të opinionit mbeten prioritete tona afatgjata dhe do të vazhdojmë t’i qasemi çështjeve të tilla me përqendrim të shtuar, përkushtim dhe përgjegjësi!
E kuptojmë interesimin e opinionit për këtë çështje dhe ju sigurojmë se do t’i ndajmë të gjitha informacionet e disponueshme dhe të verifikuara që i kemi në dispozicion.