Zëvendëskryeministri Fetai: Thellimi i partneritetit me Malin e Zi  kyç për zhvillimin rajonal

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut i angazhuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ishte nikoqir i takimit me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, z. Marash Dukaj gjatë vizitës së tij zyrtare, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Në fillim të takimit u theksua se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi shërbejnë si shembull për rajonin, me potencial për t’u avancuar përmes bashkëpunimit në reformën e administratës publike, transformimin digjital dhe sigurinë e informacionit.
Gjatë takimit u veçuan mundësitë për shkëmbimin e përvojave, ofrimin e mbështetjes eksperte dhe organizimin e vizitave studimore për nëpunësit, të cilat do të rrisnin efikasitetin dhe transparencën e administratës publike në të dyja vendet. Të dyja palët shprehën angazhim të përbashkët për realizimin e këtyre iniciativave.
Si Zëvendëskryeministri Fetai poashtu edhe ministri Dukaj shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin përmes programeve dhe projekteve të përbashkëta, të cilat do të forcojnë lidhjet mes dy vendeve dhe do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm në rajon. Kjo vizitë konfirmon përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për të avancuar partneritetin me Malin e Zi, të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta për prosperitetin e të dyja kombeve.